Lajmet

Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike zyrtarisht lamëroi fillimin e projektit “I Learn|Unë Mësoj”

Mar 31 2015
0 Shpërndarje
Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike zyrtarisht lamëroi fillimin e projektit “I Learn|Unë Mësoj”

big_foto_4Ditën e djeshme, Ministri për Inovacion dhe Administratën Publike, znj. Milena Harito organizoi konferencën për fillimin e projektit “I Learn| Unë mësoj”. Ky projekt është i financuar nga Programi Italo-Shqiptar për Konvertimin e Borxhit për Zhvillim (IADSA).

Në kuadër të këtij projekti, 450 tabletë do të vihen në dispozicion të fëmijëve me probleme dëgjimi. Secili prej këtyre tabetëve do të përmbajë një program të personalizuar i cili do të sjellë lehtësim në proçesin e mësimdhënies. Ky program kompjuterik i specializuar do të mundësojë sigurimin e komunikimit nëpërmjet gjuhës së shenjave, me synim integrimin e ketyre fëmijëve në shoqëri.

Projekti propozon ngritjen e një platforme e-learning, e cila do të integrojë alfabetin multimedial daktil dhe fjalorin i cili tregon dhe përkthen shenjat në gjuhën shqipe. Kjo platformë do të ofrojë mbështetje për mësimdhënien me metoda mësimore në gjuhën e shenjave shqipe, duke përdorur multimedian. Platforma do të përfshijë gjithashtu programe, leksione për përdorimin e gjuhës së shenjave, si dhe ushtrime të posaçme për këta nxënës për një periudhë 24 mujore.

Në këtë konferencë ishin dhjetëra të pranishëm, por ndër ta do të përmendim Ministrja Znj. Milena Harito, Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Znj.Lindita Nikolla dhe Ambasadori Italian në Shqipëri Z. Massimo Gaiani.

Gjatë fjalës së saj, Znj. Harito theksoi se: “Është e rëndësishme që të gjithë fëmijët të kenë mundësinë të integrohen në shoqëri në mënyrë të barabartë me të gjithë bashkëmoshatarët e tyre; dhe kjo qeveri me anë të këtij projekti tregon përkujdesjen e jashtëzakonshme që ka për grupet në nevojë. Kam besim se me anë të këtij projekti dhe teknologjisë inovative, ne jemi duke ofruar sot mundësitë e munguara për fëmijët me probleme dëgjimi, për të mësuar dhe komunikuar ndërmjet njëri-tjetrit duke garantuar të drejtën e informimit për të gjithë”

Më pas ishte Ministrja Nikolla ajo e cila në fjalimin e saj nënvizoi se : “Ky projekt pilot “I Learn|Unë mësoj” vjen në një moment të përshtatshëm, pasi paralelisht Ministria e Arsimit është duke reformuar kornizën kurrikulare, duke synuar kalimin nga kurrikula e bazuar në objektiva në kurrikulën e fokusuar drejt kompetencave, si dhe është duke implementuar projektin për e-learning në gjimnaze. Nëpërmjet pajisjes me tableta dhe ofrimit të një platforme dixhitale për fëmijët të cilët nuk dëgjojnë, ne kontribuojmë në integrimin e tyre tërësor në shoqëri.”

Projekti “I Learn| Unë Mësoj” u përzgjodh fitues së bashku me 12 të tjerë, nga një total aplikimesh fillestar prej 96 aplikantësh. Ai ka ardhur si një bashkëpunim i suksesshëm ndërmjet partnerëve, si Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike, Instituti i Nxënësve që nuk Dëgjojnë, Shoqata Kombëtare Shqiptare e Njerëzve që nuk Dëgjojnë dhe organizatës italiane CESTAS. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>