Lajmet

Ministrja Harito në Kosovë: Inovacioni në qendër të zhvillimit të gruas shqiptare dhe kosovare

Mar 26 2014
0 Shpërndarje
Ministrja Harito në Kosovë: Inovacioni në qendër të zhvillimit të gruas shqiptare dhe kosovare

13-11-15-02-36-41small_m-inovacionitGjatë ditës së martë, ministrja Harito mori pjesë në forumin “Java e Gruas”, organizuar në ambientet e Qendrës së Inovacionit Kosovë (ICK) nga Shoqata Instituti Kombëtar për Demokraci (National Democracy Institute). Në praninë e ministres së Integrimeve Evropiane të Kosovës, Vlora Çitaku, kryetares së Grupit të Grave Deputete, Donika Kadaj-Bujupi, kryetares së Shoqatës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit te Kosoves (STIKK), Harito shprehu kënaqësinë e veçantë për mundësinë e dhënë për të qenë e pranishme në panelin “Përdorimi i teknologjisë në ngritjen e pjesëmarrjes politike të grave”. 

Ministrja Harito vlerësoi se roli i gruas në politikën e dy vendeve është në rritje. Ajo citoi shembullin e qeverisë shqiptare e cila është e përbërë në 30% të saj nga gra. Në të njëjtin drejtim pozitiv është dhe shteti i Kosovës, i cili ka në krye të tij një grua, Jahjaga. Megjithatë, Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike të Shqipërisë vuri në dukje që një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare ka akses të ulët në informacion pasi pjesa kryesore e kësaj kategorie jeton në zona rurale ku mjetet e informimit janë të pakta.

Qeveria shqiptare është e vendosur të investojë në këtë pjesë të shoqërisë duke pasur si objektiv kryesor fuqizimin e gruas. Një sërë iniciativash në bujqësi, turizëm, artizanat janë duke u ndërmarrë në zona të ndryshme të vendit me qëllim promovimin e tyre në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.

Harito përmendi gjithashtu masat kryesore që do të ndikojnë në rritjen e aksesit të vajzave në informacion nëpërmjet teknologjisë. Një ndër to është pajisja e të gjitha shkollave të mesme të Shqipërisë me tabletë falë projektit qeveritar e-Learning. Gjithashtu, shtimi i shërbimeve elektronike qeveritare do të nxisë pjesëmarrjen e qytetarëve në hartimin e politikës. Harito theksoi në mbyllje se inovacioni duhet të vendoset në qendër të zhvillimit të shoqërisë sonë, pasi është rruga më e shpejtë për të sjellë progres dhe për të rritur mirëqenien e saj. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>