Lajmet

Miratohet plani i frekuencave që i hap rrugë teknologjisë 4G

Feb 27 2013
0 Shpërndarje
Miratohet plani i frekuencave që i hap rrugë teknologjisë 4G

4G Këshilli i Ministrave miratoi sot, në mbledhjen e tij të rradhës, Planin Kombëtar të Frekuencave, plan që i hap rrugë përdorimit të brezit 4G.

Duke i cilësuar frekuencat si autostrada të komunikimit, me një rëndësi të jashtëzakonshme në çdo vend dhe për çdo kohë, kryeministri Sali Berisha u shpreh se qeveria ka ndjekur me një dinamizëm të vazhdueshëm problemin e frekuencave, duke përshtatur në kohën më të shpejtë, të mundshme të gjitha direktivat e ITU dhe direktivat europiane.

Kryeministri bëri të ditur se plani i ri fillon përdorimin me efektivitet të spektrit të frekuencave, shmangien e interferencave në shfrytëzimin e tij, përcaktimin e shërbimeve të reja, si dhe vendosjen e standardeve europiane.

Si një risi për qytetarët shqiptarë vjen fakti se miratimi i Planit të ri të Frekuencave i hap rrugë përdorimit të teknologjisë më të avancuar të 4G, duke i mundësuar atyre të marrin internet me shpejtësi më të lartë përmes rrjeteve të lëvizshme.

BerishaKryeministri theksoi se revolucioni i shënuar gjatë këtyre viteve të fundit në fushën e telekomunikacionit, i bëri shqiptarët të komunikojnë njëlloj si kombe të tjera të zhvilluara.

Plani i sotëm do t’i hapë rrugë dhënies me përdorim të brezit të frekuencave 4G, megjithatë kjo teknologji ende nuk ka njohur ndonjë përdorim shumë të gjerë në Botë.

Shumica e operatorëve vazhdojnë të shfrytëzojnë potencialet e rrjeteve 3G. Më shumë se operatorët e rrjeteve, teknologjia 4G duket se nxitet nga prodhuesit e pajisjeve. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>