Lajmet

Miratohet Plani Kombëtar për Zhvillimin e Broadbandi-t

May 31 2013
0 Shpërndarje
Miratohet Plani Kombëtar për Zhvillimin e Broadbandi-t

Në mbledhjen e ditës së enjte të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë u miratua Plani Kombëtar për Zhvillimin e Broadbandi-t (Internet me brez të gjerë dhe shpejtësi të lartë).

Hartimi i Planit Kombëtar për Zhvillimin e Broadband-it në Shqipëri ishte një iniciativë e Ministrisë për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, me mbështetje të programit Shqipëria Dixhitale dhe të Strategjisë për Zhvillimin e Shoqërisë së Informacionit

. Qëllimi i hartimit të këtij plani është përfitimi i aksesit në shërbimet elektronike, në fusha të ndryshme si, shëndetësi, edukim, tregti, në shërbimet qeveritare etj, si dhe për të arritur përfitime më të mëdha ekonomike dhe sociale për Shqipërinë.

Sipas kryeministrit të vendit Sali Berisha ky plan bën të mundur shtrirjen e përdorimit të internetit në çdo sektor të shoqërisë shqiptare dhe në institucionet publike, private cilatdo qofshin ato, duke bërë të mundur që qytetari shqiptar të marrë internet të cilësisë më të larta, të shpejtësisë më të madhe dhe të spektrit më të gjerë.

“Qëllimi madhor i këtij plani është Shqipëria vend lider në teknologjinë e informacionit në rajon. Pra mbi këtë platformë, zbatimin e saj, qëndrojnë infrastruktura e domosdoshme dixhitale që Shqipëria të lartësojë pozicionin e saj dhe të marrë një vend lider në teknologjitë e larta të informacionit, si në aplikimin brenda vendit, por dhe eksportin e tyre”, – u shpreh Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave gjatë fjalës së tij për Planin Kombëtar për Zhvillimin e Broadbandi-t.

Ndër objektivat e vendosura në Planin Kombëtar për zhvillimin e Broadband-it vlejnë për tu përmendur: përmirësimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i infrastrukturës Broadband në të gjithë vendin; rritja e penetrimit të internetit; sigurimi i shpejtësisë së lartë dhe internetit të sigurtë; rritja e konkurrencës dhe ulja e çmimeve; rritja e ndërgjegjësimit te popullatës lidhur me përfitimet nga përdorimi i shërbimeve të TIK nëpërmjet Broadband, etj. (PCWorld Albanian)

Broadbandi

Lajmet e fundit>