Lajmet

MITIK organizon tenderin për dixhitalizimin e TVSH-së

May 14 2013
0 Shpërndarje
MITIK organizon tenderin për dixhitalizimin e TVSH-së

Ministria e Inovacionit, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, ka organizuar ditën e hënë tenderin për dixhitalizimin e Televizionit Publik Shqiptar, i cili ishte miratuar një vit me parë në kuadër të Strategjisë për Kalimin nga Transmetimet televizive Analoge ne transmetime Numerike (Dixhitale).

Në të morën pjesë kompani të njohura si suedezja Ericsson, japonezja Nec, kinezja Huawei si dhe kompania gjermane Rohde&Schwarz.

Dje përfunduan procedurat e dorëzimit të ofertave për ndërtimin e rrjetit dixhital të TVSH-së, ku u paraqitën ofertat e kompanive të lartpërmenduara. Në njoftimin për shtyp, Ministria shkruan se është e “kënaqur me paraqitjen në garë të kompanive me famë botërore në këtë fushë, çka tregon besimin ndaj autoriteteve shqiptare dhe seriozitetin e profesionalizmin e procedurës.”

Procedura e kalimit nga transmetimet analoge në ato dixhitale është detyrim për t’u realizuar nga qeveria shqiptare brenda muajit qershor të vitit 2015. Ky do të jetë edhe afati i fundit për ndërprerjen e transmetimeve analoge në Evropë, rrjedhimisht edhe në Shqipëri.

Në faqen zyrtare të Ministrisë në internet shkruhet gjithashtu se synimi kryesor është që fillimisht mbulohet 90% e popullsisë me transmetime dixhitale, ndërkohë që pjesa e pambuluar e popullsisë do të shërbehet nëpërmjet transmetimit satelitor.

Duke ndjekur politikat e shteteve të tjera evropiane, edhe qeveria shqiptare do të subvencionojë dekoderët për familjet në nevojë. (PCWorld Albanian)

TVSH

Lajmet e fundit>