Analiza

Mjeshtrit e hard diskut testojnë tregun e player-ëve multimedialë

Jan 5 2010
0 Shpërndarje
Mjeshtrit e hard diskut testojnë tregun e player-ëve multimedialë

WDTV
WDTV-ja prej $110 e Western Digital lejon të luani skedarë multimedialë prej çdo pajisjeje USB (flash drive apo hard disk i jashtëm) pa pasur nevojë për një pajisje transferimi në rrjet që të mbulojë hapësirën midis njësisë së ruajtjes apo PC-së dhe TV-së.

Njësia mund të lidhet me çdo televizor me definicion standard apo high-definition; ka konektorë për audio/video kompozitë, HDMI dalje audio optike dhe dalje USB.
Megjithëse shitet pa një hard disk, mund të punojë me çdo model të tillë, jo vetëm ato Western Digital. Mund të lexojë disqe të formatuara për Windows ose Mac OS X.
WDTV nxjerr video deri në një rezolucion prej 1080p dhe mund të luajë një listë të gjerë formatesh mediatike.

Instalimi është i thjeshtë. Lidhni WDTV me TV-në tuaj, ndizeni, lidhni një pajisje për ruajtje të dhënash USB dhe kaq. Pajisja gjen të gjithë përmbajtjen multimediale në kohë reale dhe e afishon sipas kategorive specifike. Lundrimi i sistemit intuitiv të menysë është i thjeshtë dhe çdo gjë punon ashtu siç pritet. WDTV ofron shumë opsione për luajtjen. Për shembull, mund bëni zoom dhe të krijoni slideshow me fotot. I vetmi problem që hasa ishte ngathtësia e sistemit të menysë: vonesa e tij ishte aq e madhe, sa mund të kualifikohej si një e metë madhore.

Ndryshe nga player-i i Seagate, WDTV-së i mungon një program i transferimit të të dhënave. Të tërheqësh dhe të luash skedarët nuk është e vështirë, por një program për sinkronizimin mediatik do ta shpejtonte procesin. Western Digital përfshin konvertuesin ArcSoft për të konvertuar dokumentet në formate të cilat WDTV mund t’i luajë.
Nëse doni të kapërceni metodën e rrjetit të shtëpisë dhe të lidhni një hard disk të mbushur plot me skedarë mediatikë në televizorin tuaj, WDTV është një zgjedhje e mirë. Përkrahja për full 1080p dhe konektiviteti HDMI e bëjnë atë një opsion veçanërisht të volitshëm për përdoruesit e teatrit të shtëpisë.

FreeAgent Theatre
FreeAgent Theatre i Seagate, bazuar në hard disk, ju lejon të shikoni tonelata të tëra përmbajtjeje prej PC-së apo TV-së suaj. Megjithatë, nëse e merrni seriozisht teatrin e shtëpisë, duhet të shikoni opsione të tjera.
Pajisja është mjaft e thjeshtë për t’u instaluar. Lidheni me TV-në, ushqejeni nga një prizë elektrike dhe lidhni një disk USB apo një flash drive ose kamera dixhitale. Në çmimin e tij bazë ($129), FreeAgent nuk përfshin një hard disk; megjithatë mund ta blini me një disk FreeAgent Go prej 250GB ($100 më shumë) apo 500GB ($150 më shumë).
Softueri i sinkronizimit i FreeAgent Theatre ju lejon të transferoni foto, muzikë dhe filma nga kompjuteri në hard drive. Lidhni hard diskun dhe programi do te sinkronizojë automatikisht koleksionin e mediave në PC me diskun e jashtëm. Një mbajtëse pas marrjes së hard diskut portabël FreeAgent Pro thjeshton transferimin e mediave.
Player-i kompakt pajiset me butonin e aktivizimit në pjesën e sipërme, një portë USB në ballë dhe një vend për të integruar hard diskun FreeAgent Go. Pjesa e pasme përmban daljet kompozite dhe ato të komponentëve si dhe dalje S-Video por jo HDMI.

Pasi lidhni një disk dhe e ndizni, pajisja është gati për t’u përdorur. Zgjidhni diskun e duhur dhe mund të aksesoni çdo dokument media, i cili është kompatibël. Ndërfaqja e menysë lejon të renditni përmbajtjen sipas diskut dhe më pas ta copëzoni listën në kategori.

FreeAgent Theatre nuk do të luajë dokumente audio AAC të pambrojtura, gjë që përjashton çdo skedar të nxjerrë nga CD-të me opsionet standarde të iTunes dhe çdo këngë të iTunes Plus. Video MPEG4 do të luhet vetëm nëse përdor kodekët DivX, Xvid apo AVI.

Për shumë përdorues, FreeAgent Theatre ofron një mënyrë të thjeshtë për të çliruar mediat e robëruara në PC-të e tyre. Për përdoruesit më kërkues, gjithsesi mungesa e një daljeje HDMI mund të jetë fare lehtë arsyeja për të qëndruar larg.

Lajmet e fundit>