Lajmet

Monaco Telecom urdhëron PTK-në

Sep 25 2010
0 Shpërndarje
Monaco Telecom urdhëron PTK-në

Qendra e kompanisë së Monaco Telecom i ka dërguar një letër menaxhmentit të Postës dhe Telekomit të Kosovës duke e urdhëruar që të mos t’i aktivizojë asnjë numër të ri operatorit virtual – Z Mobile. Arsyeja e këtij urdhri është fenomeni Sim to Sim. Këtë e kanë bërë të ditur burime të Expressit brenda PTK`së. 

Monaco Telecom, para një muaji, i ka dërguar një raport PTK`së duke i treguar në detaje statistikat dhe përqindjet e aktivitetit Sim to Sim në Kosovë. 

Sipas këtij raporti, del se Z Mobile është kampion në zhvillimin e këtij aktiviteti me mbi 90 për qind të totalit në këtë treg ilegal. 

Operatori virtual Z Mobile funksionon në kuadër të telefonisë Vala dhe shfrytëzon prefiksin e Monaco Telecomit +377.

“Monaco Telecom ka dërguar një urdhër te menaxhmenti i PTK`së që të mos ia aktivizojë asnjë numër të ri operatorit virtual të saj Z Mobile”, thotë një burim i gazetës. Kjo, sipas këtyre burimeve, po i shkakton telashe Monaco Telecomit në tregun ndërkombëtar të telefonisë dhe njollë në historikun e kompanisë. 

Madje telekomi i shtetit të Monacos rrezikohet që të futet edhe në listën e zezë ndërkombëtare të telefonive mobile që merren me këtë aktivitet. 

Në anën tjetër, drejtuesit e Postës dhe Telekomit të Kosovës nuk komentojnë rreth kësaj çështjeje. Ata nuk përgjigjen rreth kësaj çështjeje. Zëdhënësi i kësaj kompanie, Menduh Abazi thotë se personalisht nuk ka haber për këtë letër. 

Fenomenin Sim to Sim, drejtuesit e Misionit Evropian për Rend dhe Ligj në Kosovë – EULEX, e kanë konsideruar si akt jokriminal. 

Kristina Herodes, zëdhënëse për drejtësi në këtë administratë, tha se fenomeni Sim to Sim nuk është akt kriminal me ligjet e Kosovës. 

Sipas saj, për këtë çështje mund të pyeten vetëm drejtuesit e Autoritetit të Telekomunikacionit. 

Fenomeni Sim to Sim ekziston në Kosovë qysh prej kurdisjes së telefonisë së parë mobile publike Vala. Për çdo vit e më shumë, përdorimi i këtij fenomeni është shtuar. 

Në baza vjetore, Sim To Sim krijon shuma të mëdha humbjesh në telefonitë mobile në Kosovë. 

Haxha kërkon hetime

Drejtori i PTK`së, Shyqyri Haxha ka kërkuar nga vartësit e tij në kompani që të hetojnë se kush dhe si ka filluar iniciativa për formimin e MVNO`s aktuale. A ka qenë kjo iniciativë e ish-drejtorit Etrur Rrustemaj dhe kush ka filluar negociatat me Dardafonin për këtë punë. Haxha ka kërkuar që për të gjitha detajet dhe nismat të sqarohen nga Zyra ligjore e PTK`së dhe të dërgohen në EULEX.

Çka është SIM 2 SIM?

Fenomeni i njohur si SIM 2 SIM realizohet përmes SIM kutive, me qëllim të keqpërdorimit të kartelave të operatorëve legalë. SIM kutitë janë një kundërshtar në rritje në luftën kundër mashtrimit, të cilat mundësojnë plaçkitjen e të ardhurave nga operatorët mobilë. Kutitë SIM zakonisht përdoren për mashtrim dhe ridrejtim të thirrjeve ndërkombëtare që vijnë te një operator i caktuar mobil, duke përdorur rrjetin e atij operatori mobil. Kur kjo ndodh, një operatori mobil i mohohen mijëra, nëse jo miliona euro të hyra, të cilat ofruesi ligjor i shërbimeve të telefonisë mobile nuk mund t’i gjenerojë si të hyra, pasi që të njëjtat ilegalisht merren nga keqpërdoruesit. /gazetaexpress.com

Lajmet e fundit>