Lajmet

Mozilla Firefox OS do ta shohim edhe në smartfonët e shtrenjtë

May 10 2013
0 Shpërndarje
Mozilla Firefox OS do ta shohim edhe në smartfonët e shtrenjtë

Sistemi operativ mobile Firefox nuk do të mungojë edhe për smartfonët e shtrenjtë. Ky lajm është konfirmuar nga vetë ekzekutivët e Mozilla-s, të cilët kanë shtuar se një nga këto lançime do të jetë edhe ai i Sony-t që do të vijë së shpejti.

“Sony njihet për cilësi dhe përvojë të mirë përdoruesi. Pra, ata synojnë konsumatorët që paguajnë shtrenjtë. Aktualisht jemi duke biseduar për krijimin e një pajisjeje të tillë me sistemin operativ Firefox,” u shpreh Li Gong, zëvendës president senior i Mozilla-s për pajisjet mobile.

Firefox OS pritet të vijë në një kohë kur konkurrenca mes sistemeve operative mobile është përqendruar më së shumti tek Apple iOS dhe Google Android. Fillimisht, qëllimi kryesor i këtij sistemi të ri do të jenë pajisjet e zakonshme, ndërkohë që smartfonët e parë priten të vijnë në tregjet e Europës dhe Amerikës së Jugut në qershor të këtij viti, u shpreh Gong para disa ditësh.

Kompania është shprehur se pajisjet e lira janë strategjia e duhur për të hyrë në treg, megjithatë ata duan të ngrihen pak nga pak duke synuar edhe pajisjet e shtrenjta dhe më të avancuara. Aktualisht, prodhues si Sony, LG, ZTE, Huawei dhe Alcatel po punojnë me Mozilla-n për të zhvilluar telefonë që operojnë me Firefox OS. Për më tepër, deri tani, 18 operatorë telefonikë duan të përdorin sistemin operativ, shtoi Gong.

Sipas Gong, Mozilla është e vetmja kompani që mund të konkurrojë me sistemet më të përdorura operative mobile në treg, për shkak se sistemi i tyre nuk do të jetë vetëm open source, por nuk do të ketë as çmim.

Sistemi operativ i Google, Android, është gjithashtu open source. Por, në brendësi, versionet e tij janë të mbyllura për operatorët telefonikë apo prodhuesit e harduerëve, shprehet Gong. Ata mund të bëjnë ndryshime në Android vetëm në qoftë se lançohet një version i plotë i ri.

“Njerëzit na pëlqejnë ne sepse jemi totalisht transparentë. Të gjitha produktet, karakteristikat, problemet, gjithçka është e hapur. Të gjithë mund të shohin ku jemi dhe nga po shkojmë. Sistemi është i bazuar në HTML5, një gjuhë programimi kaq e përdorur dhe po aq e thjeshtë për të ndërtuar aplikacione,” përfundoi ai.

Nga ana tjetër, analistet janë në dyshim nëse Firefox OS do të sjellë vërtet atë ndryshim që pretendon. Për më tepër, në treg pritet të vijnë së shpejti edhe dy sisteme të tjera open source, Ubuntu dhe Tizen (i mbuluar nga Samsung). (PCWorld Albanian)

firefox smarfon

Lajmet e fundit>