Lajmet

Multiplekseri

Mar 28 2010
0 Shpërndarje
Multiplekseri

Kështu, çdo gjeneratë e re e multipleksimit ofron një zbulim shtesë, më shumë dobi dhe kosto më të arsyeshme dhe të pranueshme. Përmes rreshtave në vijim do të njihemi me përdorimin e multipleksimit, dobitë, koston e implementimit dhe të ardhmen e tij.

MULTIPLEKSIMI DHE INTERNETI
Multipleksimi ka dëshmuar se mund të implementohet në çdo shtresë të modelit OSI. Një shembull i mirë i multipleksimit është situata kur të dhënat nga aplikacionet e shumta multipkesohen në një paketë të vetme të të dhënave të shtresës së ulët. Multipleksimi gjen zbatim edhe në softuer, ku segmente të shumta të informatës i dërgohen pajisjes ose procesohen në të njëjtën kohë. Një përpjekje për të vendosur një teknikë për përmirësimin e performancës së serverit të web-it, duke konsoliduar kërkesat hyrëse të TCP/IP-së që të zvogëlohet numri i koneksioneve që duhet bërë në server, paraqet një shembull të mirë të multipleksimit në fushën e softuerit. Kështu, aftësia e multipleskimit që të përdoret në fushat e harduerit dhe të softuerit si dhe prezenca në shkallë të gjerë e teknikave të multipleskimit në ditët e sotme dëshmon që Interneti e përdor dhe do ta përdorë atë. Në vijim tregohen disa nga teknikat  e multipleksimit që përdoren sot në infrastrukturën e Internetit kur bëhet fjalë për komunikimet: multipleksimi i paketave përgjatë lidhjeve TCP/IP, teknikat e multipleksimit të paketave dhe celulave, teknikat e multipleskimit të kanaleve (përfshijnë Frequency Division Multiplexing [FDM], Time Division Multiplexing [TDM], Wavelength Division Multiplexing [WDM], Orthogonal Frequency Division Multiplexing [OFDM], Code Division Multiplexing [CDM], etj.).

DOBITË NGA MULTIPLEKSIMI
Disa nga dobitë e përdorimit të teknikave të multipleksimit në sistemet e rrjeteve të komunikimit janë si në vijim:

  • multiplekseri nuk pengon lëvizjen normale të të dhënave, përkundrazi mundëson uljen e kostos së përgjithshme në konektimin e lokaliteteve në distancë;
  • mundësia për të bërë kompresimin e të dhënave duke bërë të mundur kodimin e karaktereve të caktuara me më pak bite se zakonisht, çka liron hapësirë shtesë për të mbartur informatat e tjera;
  • aftësia për të detektuar dhe korrigjuar gabimet mes dy pikave të ndërlidhura duke siguruar kështu integritetin dhe saktësinë e të dhënave që mbarten;
  • aftësia për të menaxhuar resurset e transmetimit në mënyrë dinamike përmes niveleve të prioriteteve.

Ne përgjithësi, nëpër korporata multiplekserët përdoren për të lidhur terminalet qe ndodhen gjithandej ndërtesës për mainframe-in qendror si dhe për lidhjen e terminaleve që ndodhen në lokalitetet në distancë me mainfram-in qendror përmes lidhjes telefonike.

MULTIPLEKSIMI DHE KOSTOJA E RRJETIT
Po që se shikohet nga perspektiva e kostos së pajisjes dhe prezenca e saj në rrjet, atëherë multipleksimi e rrit koston e përgjithshme të rrjetit të komunikimit sepse multiplekserët duhet të vendosen në gjitha skajet e kanaleve të komunikimit, me qëllim që të aplikohet multipleksimi dhe demultipleksimi. Por në qoftë se shikohet nga perspektiva e arsyes përse ekziston kjo pajisje, atëherë vërtetohet fakti që qëllimi dhe prania e multiplekserit është që të ulë koston e përgjithshme të rrjetit të komunikimit duke zvogëluar numrin e nevojshëm të lidhjeve për komunikim mes dy pikave. Në qoftë se favorizohet kostoja e linjës në krahasim me koston e pajisjes në procesin e planifikimit dhe dizajnimit te rrjeteve për komunikim, atëherë kjo do të thotë se në një rrjet të këtillë mund të ofrohet nivel jashtëzakonisht i lartë i shërbimeve duke siguruar që secili përdorues gjithmonë do të ketë lidhje të “gjallë” dhe në dispozicion për komunikim. Por, me kalimin e kohës, kostoja e këtyre shërbimeve të vazhdueshme bëhet jashtëzakonisht e lartë. Anasjelltas, në qoftë se favorizohet kostoja e pajisjes në raport me koston e linjës për komunikim, atëherë për skenarin e njëjtë multiplekserët do bëjnë të mundur përdorimin sa më inteligjent të grupeve më të vogla të linjave për komunikim, duke ulur kështu dukshëm koston e përgjithshme të rrjetit, e shkaktuar nga numri i madh i linjave të ofruara.

KONKLUZIONI: MULTIPLEKSIMI DHE E ARDHMJA E TIJ
Që nga koha kur multiplekserët u paraqitën në treg e deri tek aplikimet e shumta të tyre në fushën e komunikimeve, mund të thuhet që multipleksimi është përdorur nga industria telefonike me vite të tëra. Prodhuesit e automobilave dhe furnitorët punojnë me multiplekserët që nga vitet 60-të dhe sot ne jemi dëshmitarë që Interneti përdor deri në maksimumin e mundshëm të gjitha teknikat në dispozicion të multipleksimit. Me pak fjalë, kuptojmë që dobitë janë të shumta në fushën e komunikimeve nga multipleksimi. Kështu, mund të konkludojmë që e ardhmja e multipleksimit do të jetë e ndritur, aq më shumë për faktin që sot ekzistojnë një numër i madh teknikash të multipleksimit, duke e bërë akoma më të shumëllojshme këtë teknologji si për nga disponueshmëria edhe nga mundësia e implementimit në rrjetet e komunikimit.

Lajmet e fundit>