Lajmet

Muzeu Historik i Kompjuterave shfaq kodin origjinal të Photoshop-it

Feb 16 2013
0 Shpërndarje
Muzeu Historik i Kompjuterave shfaq kodin origjinal të Photoshop-it

photoshopEmri ‘Photoshop’ sjell në mendjen tonë një sërë manipulimesh që mund t’u bëhen imazheve, që nga ndërtimi i objekteve abstrakte e deri tek krijimi i imazheve perfekte të yjeve të Hollivudit. Tashmë, kodi në kompjuter, i cili ka bërë të mundura të gjitha këto, është i disponueshëm për inspektim.

Muzeu Historik i Kompjuterave (Computer History Museum) në Mountain View, Kaliforni, ka bërë publik së fundmi kodin e burimit të Adobe Photoshop 1.0.1. Ai mund të shkarkohet nëse përdoret për qëllime jo komerciale.

Fillimisht i lançuar për Macintosh në vitin 1990, Photoshop është shndërruar në një prej programeve më të dashura dhe më të përdorura jo vetëm nga profesionistët e fotografisë, por edhe nga adhuruesit e saj.

Programi i parë që do të bëhej më pas Photoshop u shkrua në fund të viteve ’80-të nga Thomas Knoll, student i PhD në Universitetin e Miçiganit. Ai, së bashku me vëllain e tij John, zhvilluan Photoshop në trajtën e një programi të gatshëm për përdoruesit.

Lançimi i parë komercial nga prodhuesi Barneyscan shiti vetëm 200 kopje nën emrin Barneyscan XP, dhe ofrohej së bashku me harduerin e kompanisë. Shumë shpejt pas këtij lançimi, Adobe bleu të drejtat nga Knolls dhe publikoi një version të përmirësuar të programit, të quajtur Photoshop 1.0.

Në atë kohë, Photoshop 1.0. ishte shumë i thjeshtë per t’u përdorur. Pothuajse i njëjti program është sot i disponueshëm për shkarkim nga Muzeu Historik i Kompjuterave. Ai përfshin 179 skedarë me rreth 128.000 rreshta kod. Nëse e krahasojmë me Photoshop-in e sotëm, ky i fundit ka rreth 10 milionë rreshta.

computer-history-museumMuzeu shprehet se 75% e kodit është shkruar në Pascal dhe një pjesë tjetër prej 15% në një gjuhë makinë për proçesorin Motorola 68000, çipi origjinal në modelet e atëhershëm të Macintosh-it.

Pjesa tjetër e kodit përbëhet nga bite të ndryshme të dhënash.

Kodi origjinal nuk ka pothuajse fare komente, pasi shënimet e vendosura në skedarët e kodit burim shpjegojnë pjesën më të rëndësishme të tij.

Kodet burim të Photoshop 1.0.1 mund t’i shkarkoni nga ‘Computer History Museum’. (PCWorld Albanian)

Tags >

Adobe
Lajmet e fundit>