Biznes

Ndahet hisja e PTK-së

Jun 16 2010
0 Shpërndarje
Ndahet hisja e PTK-së

Ky është vendimi që u mor sot në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, e cila i ka dhënë mbështetje projekt-strategjisë për pjesëmarrjen e sektorit privat në PTK. Procesi i privatizimit të PTK-së, sipas krerëve të Qeverisë, duhet të përfundojë deri në fund të vitit.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se Qeveria është e vendosur për krijimin e konkurrencës dhe tregut të lirë. “Si Qeveri do të garantojmë që ky proces të jetë plotësisht transparent dhe në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare. PTK-ja do të privatizohet, por ne si Qeveri kemi vendosur që një pjesë të rëndësishme të aksioneve të saj t’i mbajmë në pronësi tonën. Pra, qytetarët e Kosovës janë 25 për qind aksionarë në këtë kompani. Dua të theksoj se pavarësisht pse jemi të fundit në rajon që i hyjmë këtij procesi të rëndësishëm, kam besim të plotë se do të dalim të suksesshëm plotësisht”, është shprehur Thaçi, transmeton KosovaPress.

Rekomandimi për tenderimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, ka ardhur nga Komisioni Ndërministror, i cili ka bërë këtë vlerësim duke u mbështetur në analizimin dhe shqyrtimit të rekomandimeve, duke u bazuar në përfundimet e nxjerra nga konferenca e investitorëve të PTK-së.

Gjithashtu gjatë ditës së sotme do të formohet edhe Komisioni për Privatizimin e PTK-së, i cili sipas Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi do të adresojë dhe negociojë në mënyrë të përgjithshme kërkesat e punëtorëve të kësaj ndërmarrje publike. Në anën tjetër për sa i përket vendimit përfundimtar për privatizimin e PTK-së, sipas Kryeministrit ai do të merret nga Kuvendi i Kosovës.

Ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, tha se janë analizuar të gjitha aspektet ligjore e financiare, dhe se i gjithë projekti është i mbështetur edhe gjatë negociatave me FMN-në. Ministri Shala tha se është thelbësore që ky proces të kryhet gjatë këtij viti.

Lajmet e fundit>