Lajmet

Ndahet nga jeta njeriu që shpiku mouse-in

Jul 4 2013
0 Shpërndarje
Ndahet nga jeta njeriu që shpiku mouse-in

Douglas Engelbart, njeriu që shpiku mouse-in e kompjuterit dhe ndihmoi në zhvillimin e shumë teknologjive bazë, është ndarë nga jeta në moshën 88 vjeçare.

Lajmi është dhënë fillimisht nga Twitter përmes Computer History Museum në Mountain View, Kaliforni, ku Engelbart realizoi pjesën më të madhe të punës së tij.

Prezantimin dhe shfaqjen e parë të mouse-it Engelbart e bëri më 9 dhjetor 1968 dhe që prej asaj kohe, ajo njihet me termin “Mother of All Demos” (Nëna e të gjitha shfaqjeve). Përveç mouse-it, Engelbart prezantoi edhe shumë teknologji të tjera kompjuterike, përfshi video konferencat, përpunimin e tekstit, hypertext-in si dhe editimin në bashkëpunim. Kërkimet e tij hapën gjithashtu rrugën e ndërfaqeve grafike të përdoruesit.

Rreth një vit para prezantimit, Engelbart aplikoi për një patentë për mouse-in, të cilën e mori në vitin 1970. Mouse-i i parë ishte prej druri, i pajisur me dy rrota të vogla prej metali, i cili shërben si një “tregues pozicioni X-Y dhe njëkohësisht kontrollues i kursorit”.

Engelbart ka fituar shumë çmime të rëndësishme për kërkimin e tij, përfshi Medaljen Kombëtare të Teknologjisë, që iu dha nga presidenti Bill Clinton në vitin 2000. Po ashtu, ka marrë Çmimin e Pionerit Kompjuterik nga Institute of Electrical and Electronics Enginërs (IEEE) si dhe në shtetin e tij të lindjes, në Oregon, data 24 janar është një datë në nderim të tij (“Douglas C. Engelbart Day.”) (PCWorld Albanian)

first mouse

Lajmet e fundit>