Lajmet

Ndahet nga jeta themeluesi dhe kryetari i IDG-së, Patrick J. McGovern

Mar 20 2014
0 Shpërndarje
Ndahet nga jeta themeluesi dhe kryetari i IDG-së, Patrick J. McGovern

pat-mcgovern-100251161-large

Me shumë keqardhje, International Data Group (IDG) ka bërë të ditur gjatë ditës së sotme se themeluesi dhe drejtuesi kryesor i saj, Patrick J. McGovern, është ndarë nga jeta në moshën 76 vjeçare më 19 mars, në Spitalin Stanford të Palo Altos në Kaliforni. “IDG-ja ka humbur një vizionar të vërtetë, ndërsa komuniteti i IT-së ka humbur një prej qytetarëve më të jashtëzakonshëm,” u shpreh kryetari i bordit të IDG-së, Walter Boyd. “Dëshira më e madhe e Patit për IDG-në ishte që ajo ta bënte botën një vend më të mirë përmes mediumeve të Teknologjisë së Informacionit. Ai krijoi një ambient pune unik ku tashmë ne kemi lidershipin e duhur në vendet e duhura për të siguruar që kompania që ai krijoi të vazhdojë të rritet dhe të lulëzojë.”

Një karrierë e shkurtër mbi Patrick J. McGovern

Patrick Joseph McGovern, ose siç njihej shkurtimisht “Pat,” lindi më 11 gusht 1937 në Kuins të Nju Jorkut. Pjesën më të madhe të fëmijërisë e kaloi në Filadelfia. Karriera e tij në botim filloi gjatë kohës që ishte student në MIT, ku aplikoi për një punë me kohë të pjesshme në stafin editorial të Computers and Automation – revistës së parë amerikane dedikuar kompjuterëve. Pas diplomimit nga MIT në vitin 1959, në degën e biofizikës, ai u bë Redaktor i Asociuar dhe më pas Botues i Asociuar.

Në vitin 1964, kur industria e kompjuterëve ishte ende në fillimet e saj, ai themeloi International Data Corporation (IDC), e cila është tashmë pjesë e IDG-së. Synimi i saj ishte t’i ofronte industrisë statistika të besueshme dhe në kohë reale mbi tregjet e teknologjisë. Tre vite më vonë, ai lançoi ComputerWorld-in, një botim javor që synonte t’i mbante në kontakt blerësit me shitësit si dhe me lajmet e fundit të teknologjisë.

Gjatë harkut kohor prej 50 vitesh, McGovern arriti ta zgjeronte IDG-në në dhjetëra shtete të botës: sot ajo numëron mbi 300 revista dhe gazeta periodike në vende të ndryshme të botës, mbi 460 uebfaqe, 200 aplikacione mobile dhe 700 evente në gjithë botën. Markat e IDG-së gjenden sot në 97 shtete. Ato përfshijnë PCWorld, Macworld, TechHive, Grënboot, CIO, CSO, Computerworld, GamePro, IDC, IDG Connect, IDG TechNetwork, IDG World Expo, InfoWorld, dhe Network World. Pjesë e mozaikut global të këtyre markave është edhe ICTSmedia Limited, me seli në Tiranë, që është pjesë dhe partner i licencuar i IDG-së, që boton PCWorld.al, CIO.al, ComputerWorld Albanian, GameWorld.al, si brende globale në gjuhën shqipe.

Pasioni për kërkimet mbi trurin

Në shkurt të vitit 2000, MIT krijoi McGovern Institute for Brain Research, i cili u mundësua nga dhurata prej 350 milionë $ që bëri McGovern dhe bashkëshortja e tij, Lore Harp McGovern. Kjo është një prej dhuratave filantropike më të mëdha në historinë e arsimit universitar. Qëllimi i institucionit ishte të studionte trurin njerëzor në shëndet dhe sëmundje. Instituti është tashmë pjesë e pandarë e MIT dhe prej vitit 2011 ai është zgjeruar edhe në tre universitete kryesore të Kinës.

Një jetë vlerësimesh

McGovern është vlerësuar herë pas here me çmime të ndryshme, veçanërisht në botën e medias. Në vitin 2008 ai mori çmimin Robert L. Krakoff Lifetime Achievement Award nga American Business Media. Në vitin 2005, McGovern mori çmimin Magazine Publishers of America’s Lifetime Achievement Award. Vlerësime të tjera janë ato të Lifetime Achievement Award nga American Society of Business Publications Editors në 2004-n dhe Top Innovator in Business Publishing Award nga revista BtoB Media Business. Shtëpia botuese ICTSmedia dhe stafi i saj shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegeve të Patrick J. McGovern. (ICTSmedia/PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>