Biznes

Ndërsa ALBtelecom thotë jo Deutsche Telekom, a po përpiqen këta të fundit të hyjnë në tregun shqiptar me shërbime fikse

Jan 28 2015
0 Shpërndarje
Ndërsa ALBtelecom thotë jo Deutsche Telekom, a po përpiqen këta të fundit të hyjnë në tregun shqiptar me shërbime fikse

 0Ekzekutivi i gjigandit të telekomunikacionit shqiptar, ALBtelecom, ka mohuar mundësinë e një shitjeje të kompanisë tek gjermanët e Deutsche Telekom gjatë një interviste për revistën Monitor. CEO Erkan Tabak mohoi çdo spekulim duke thënë se ishin të pabaza dhe bëheshin me qëllim për të ndikuar në performancën e shkëlqyer të ALBtelecom gjatë 2014. Suksesin e vitit 2014, z Tabak ia adresoi që të gjithin lançimit të platformës televizive “on demand”, IPTV, në muajin Prill.

Më tej CEO i ALBtelecom bëri të ditur se përgjatë dy viteve të ardhshme kompania ka në plane të investojë 50 milion Euro në rrjetet e fibrave optike, dekoderat IPTV dhe rrjetet 4G.

ALBtelecom u privatizua në 2007 pas blerjes së 78% të aksioneve nga konsorciumi turk i Calik Holding dhe Turk Telekom. Aktualisht është kompania e telekomunikacionit më e madhe në vend e linjave fikse dhe internetit fiks duke u shërbyer më shumë se 200 mije abonentëve.

Por spekulimet për një shitje të mundshme tek gjermanët e Deutsche Telekom nuk janë aq të pabaza duke qënë se edhe vetë CEO nuk e mohoi interesin e gjermanëve. Aktualisht, operatori mobil AMC është pjesë e grupit të telekomit gjerman duke qenë se këta të fundit zotërojnë 40 % të aksioneve të telekomit grek OTE, ku kjo e fundit ka në pronësi 95 % të aksioneve të AMC-së. Mbase gjermanët po kërkojnë një mundësi për të hyrë në tregun shqiptar me shërbimet fikse të telefonisë dhe internetit. Deutsche Telekom është prezent edhe në Malin e Zi ku zotëron 76 % të aksioneve të Crnogorski Telekom dhe në Maqedoni zotëron 51 % të aksioneve të Makedonski Telekom përmes konsorciumit drejtuar nga hungarezët e Magyar Telekom. Aktualisht, Deutsche Telekom nuk ka operacione në Serbi dhe Shqipëri me përjashtim të AMC-së. Pikërisht kjo mund të jetë arsyeja pse gjermanët mund të jenë duke tentuar të hyjnë edhe në Shqipëri.

Madje ata kishin shprehur interes edhe për blerjen e Postës dhe Telekomit të Kosovës përmes operacioneve të tyre kroate të Hrvatski Telekom. Gjithësesi proçedurat e privatizimit të Telekomit të Kosovës kanë dështuar disa herë.

Pse është kaq e rëndësishme ? Aktualisht, ALBtelecom është i vetmi operator në vend që ofron katër shërbimet: Fiks, Mobile, Internet dhe TV, dhe jo pak here është akuzuar për pozitat dominuese në tregun e telekomunikacionit në Shqipëri. Nëse gjermanët e Deustche Telekom nuk kanë arritur të negociojnë me ALBtelecom për të arritur një marrëveshje blerjeje, kjo do të thotë se ata mund të jenë duke kërkuar të ofrojnë shërbime fikse në Shqipëri. Nëse Deustche Telekom arrin të blejë një operator fiks me shërbime Tri-Play si ABCOM ose Tring Communication në vend, kjo do të sillte një shkrirje të mundshme të operacioneve me operatorin mobil AMC Albania, çka do të thotë se edhe gjermanët do të mund të ofronin një shërbim të katërfishtë në Shqipëri. Me pak investim, kjo do i bënte gjermanët një rival direkt të ALBtelecom, ku e gjitha kjo do të rezultonte në një fitore për konsumatorët shqiptarë. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>