Lajmet

Ndoshta do të na duhet të presim deri vitin tjetër për Microsoft Office në iOS dhe Android

Apr 13 2013
0 Shpërndarje
Ndoshta do të na duhet të presim deri vitin tjetër për Microsoft Office në iOS dhe Android

Microsoft-i po bën një gabim të madh. Pse do të pyesni ju veten? Sepse Office po vonohet gjithmonë e më shumë për iOS dhe Android dhe ndoshta ku të jetë e disponueshme për to, shumë pak njerëzve do t’iu interesojë.

Sipas një burimi të besueshëm dhe të respektuar nga Redmond-i, do të na duhet të presim ende për versionin e përshtatur për sistemet operative mobile të konkurrentëve të Microsoft-it. Sipas këtij burimi, Office for iOS apo Office for Android mund të mos jenë gati deri në fund të 2014-s, pikërisht një vit e gjysmë nga sot.

Nëse këto informacione janë të sigurta, atëherë Microsoft-i po humbet një shans vërtet të artë. Deri në fund të vitit 2014 mund të kenë ndryshuar shumë gjëra. Për më tepër përdoruesit me shumë mundësi do të fillojnë të investojnë në aplikacione të tjera duke marrë parasysh mungesën e Microsoft-it.

PCWorld ka kontaktuar drejtpërdrejt me stafin e Office në Microsoft, por zëdhënësi i tyre është shprehur se “Nuk kemi asnjë deklaratë zyrtare për momentin lidhur me përditësimet e Office.”

Analistët gjykojnë se ndoshta Microsoft-i nuk po e kupton dëmin që mund t’i shkaktojë vetes, duke marrë parasysh se iPad-i apo opsione të tjera lidhur me suitat e produktivitetit në të janë kërcënime serioze për Office.

Megjithatë, e gjithë historia e Office për iOS apo Android komplikohet edhe më tepër nga deklarata jozyrtare e CEO-s Steve Ballmer, i cili është shprehur se përdoruesit e këtyre dy platformave nuk kanë nevojë ta kenë Office si një aplikacion të veçantë, pasi mund ta përdorin atë online përmes shfletuesit.

Edhe pse teknikisht e vërtetë, Ballmer është gabim. Aplikacionet e instaluara në smartfonë apo tabletë ofrojnë një përvojë më mirë dhe punojnë edhe offline.

Sipas analistëve, Microsoft-i po humbet miliarda dollarë duke mos ofruar Office për iOS dhe Android. (PCWorld Albanian)

office

Lajmet e fundit>