Analiza

Në analizë: HP ProBook 4520s

Apr 22 2011
0 Shpërndarje
Në analizë: HP ProBook 4520s

Dizajni

HP ProBook 4520s është një laptop me dizajn që e karakterizon për përdoruesit e sektorit të biznesit dhe dallon si i  tillë prej produkteve të prodhuesve të tjerë. Ai ofrohet me një dizajn të përpunuar nga një metal me ngjyrë të kafenjtë metalike, që ofron një pamje më të mirë për përdoruesin që në momentin e parë. Tastiera është e punuar tërësisht nga ngjyra e zezë dhe është me taste të ndara dhe kualitative. Në përgjithësi këto kombinime ngjyrash tek HP ProBook 4520s mund të thuhet se janë pothuajse të përkryera.

HP ProBook 4520s është vërtet i punuar mjaft mirë kur kihet parasysh se ka madhësi 15 inç dhe pavarësisht se ka bateri gjashtëqelizore dhe përpunim metalik, ai sërish peshon vetëm 2.5 kg, që është peshë më e lehtë krahasuar me disa laptopë të tjerë 15 inçësh si Lenovo IdeaPad Y550 apo Acer Aspire 5740.

HP ProBook 4520s ka një ekran 15.6 inç LED me shkëlqim që sjell rezolucion prej 1366×768 pikselë – kurse modeli paraprak ProBook 4410s ka pasur ekran matte. Megjithatë kjo nuk do të thotë se ai shkëlqen shumë dhe si i tillë sjell pamje të mira edhe brenda edhe jashtë shtëpisë. Në mes të tjerash, bardhësia është mjaft e madhe duke sjellë kështu kënaqësi për përdoruesin gjatë leximit të ndonjë teksti apo shikimit të ndonjë filmi. Edhe këndet horizontale të shikimit të ProBook 4520s janë mjaft të mira.

Sa i përket tastierës dhe touchpad-it, në HP ProBook 4520s janë vendosur gjithashtu në pozitën më të mirë të mundshme. Tastiera “chicklet” është shpërndarë mjaft mirë dhe më besoni kur ju them se kur të filloni të shkruani, do të ndiheni rehat. Edhe touchpad-i ka një teksturë të punuar dendur dhe është mjaft përgjegjës. Përkrahjet për gjeste mundësojnë rrotullim të imazheve, zoom largim dhe shfletim të web faqeve – dhe këto gjeste gjithashtu punojnë shkëlqyeshëm. Dhe ngjashëm me HP Mini 210, ProBook 4520s inkorporon dy taste të miut në touchpad.

Veçoritë e harduerit

HP ProBook 4520s ofrohet në konfigurime të ndryshme, por ky që po ofron për shitje në Kosovë tek partnerët lokalë distributori i autorizuar nga HP, Ask Trade, përmban këto veçori: Intel Core i3-380M 2.53GHz, 2GB RAM 1333 Mhz, 320GB HDD në 7200 rpm dhe grafikë GLAN Intel GMA X4500HD. Ai ka gjithashtu DVD+/- RW SuperMulti DL LightScribe, katër porte USB, eSATA, HDMI, audio dhe dalje për VGA. Përveç këtyre që u përmendën, HP ProoBook 4520s ka edhe Gigabit Ethernet, Wi-Fi 802.11n, Bluetooth 2.1, web kamerë 2MP, mikrofon, port për ExpressCard, port për lexues të kartelave të ndryshme të memories dhe në fund skaneri i gishtit kompleton bashkësinë e veçorive të HP ProBook 4520s – që realisht e bën njërin prej laptopëve më të mirë në treg sot në Kosovë.

HP ProBook 4520s ka një bateri standarde gjashtëqelizore, ndërsa në aspektin e softuerit ai sjell lloj-lloj programesh që pa dyshim se do t’ju hyjnë në punë.

Të mira shtesë

HP ju sjell me modelin e saj edhe disa vegla si ProtectTools, që ju mundëson të enkriptoni hard diskun tuaj, të siguroni të dhënat në të e madje edhe të keni hapa sigurie shtesë para se të startojë sistemi dhe në këtë formë të parandaloni aksesin e paautorizuar në të. Në ofertë ka edhe një program që quhet File Sanitizer, i cili ju mundëson të mbishkruani hard diskun tuaj disa herë me të dhëna të pakuptimta, duke ju konfirmuar se të dhënat tuaja janë fshirë një herë e përgjithmonë. Mes të tjerash, veçoritë biometrike si ajo e njohjes së fytyrës dhe e njohjes së shenjave të gishtërinjve e bëjnë kyçjen në sistem tepër të lehtë (kuptohet për përdoruesin). A mund ta sfidojë ndonjë konkurrent i biznesit në këtë nivel? Përgjigjja është jo.

HP ProBOok 4520s ka edhe një PC Dock që mund ta rregulloni sipas dëshirës. Gjithashtu ofrohen edhe zgjidhje si HP Advisor, një softuer tjetër shtesë që lejon të lançojë veglat e ruajtjes në rezervë të të dhënave, kërkimin e përditësimeve më të fundit për drajver dhe shumë gjëra të tjera.

Performanca

HP ProBook 4520s performon mjaft mirë. Në testimet e bëra me programin e PCWorld, WorldBench 6, ai arriti një rezultat prej 89 pikësh, pastaj në testimet shtesë me PC Mark 05 arriti në 4992 pikë dhe në Cinebench solli 5778 pikë. Me këto rezultate HP ProBook 4520s pa dyshim që futet në mesin e laptopëve që ua rekomandojmë për blerje pa hezituar aspak.

Edhe pse ProBook 4520s nuk ka një kartelë grafike të dedikuar, ai nuk mund të konsiderohet zgjidhje e mirë për ata që dëshirojnë të luajnë lojëra, por duke pasur parasysh se është laptop që përshtatet shumë mirë me sektorin e biznesit dhe me njerëzit e angazhuar me punë, ai sërish mund t’ju sjellë argëtim në kohën e lirë duke ofruar kualitet të lartë të zërit dhe të videos jo vetëm me formatet standarde, por edhe të ato 720p dhe 1080p (HD ecën goxha rrjedhshëm). Në këtë aspekt mund të themi se HP ProBook 4520s ka veçori të dobishme për biznes dhe performancë harduerike të një niveli të lartë.

Të vetmen mangësi në pakon mbresëlënëse HP ProBook 4520s e kemi gjetur te bateria. Në kapacitet të plotë pune (performancë maksimale dhe bardhësi maksimale në ekran), u arrit një rezultat prej 1 orë e 10 minuta. Pavarësisht kësaj, nëse kërkon vetëm shfletim të internetit përmes Wi-Fi, pa problem do të keni në dispozicion 3 orë të plota.

 
Specifikat

  • CPU: Intel Core i3-380M 2.53 GHz
  • RAM: 2GB 1333 MHz DDR3 (mund të porositen edhe me më shumë RAM)
  • Grafika: Intel GMA X4500HD
  • HDD: 320GB 7200 rpm (mund të porositen edhe me disk më të madh)
  • Ekrani: 15.6 inç LED HD Anti-Glare (1366 x 768)
  • Pesha: 2.39 kg
  • DVD +/- RW SuperMulti DL LightScribe
  • 4 porte USB 2.0
  • Skaner të gjurmëve të gishtit
  • Web kamerë 2 megapikselë
  • Altoparlantë të integruar
  • Dalje HDMI

Vendimi

HP ProBook 4520s, duke u nisur nga dedikimi i tij për sektorin e biznesit, ofron freski në aspektin e pamjes dhe dizajnit. Ai ka një bashkësi të gjerë softuerësh të ndryshëm të ofruar nga HP (në veçanti për sigurinë e të dhënave) dhe gjithashtu ofron edhe performancë të shkëlqyer dhe shërbime të tjera shtesë. Me fjalë të tjera, PCWorld Albanian rekomandon se nëse dëshironi të tërhiqni vëmendjen e kolegëve të punës dhe të jeni të përgatitur për detyrat tuaja, atëherë HP ProBook 4520s është laptopi i duhur për ju.

Ku ta blini?

Ask Trade është distributor i autorizuar nga HP për tregun e Kosovës. Partnerët e saj ku mund ta blini këtë laptop janë: ASSECO, PPC IT, Komtel project engineering, INFOTRADE dhe Saturn. Çmimet mund të dallojnë pak, por do të gjeni produkte origjinale të HP dhe me garanci origjinale. /pcworldalbanian

Lajmet e fundit>