Lajmet

Në Kosovë ndërmerret nisma kundër piraterisë dhe falsifikimit

Jun 16 2013
0 Shpërndarje
Në Kosovë ndërmerret nisma kundër piraterisë dhe falsifikimit

Task Forca Kundër Piraterisë dhe Falsifikimit e themeluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur që të ndërmarrë veprime konkrete për të ndaluar piraterinë në fushën e të drejtës së autorit.

Me qëllim njoftimin e gjithë qytetarëve të Kosovës, lidhur me rëndësinë e të drejtës së autorit për industritë kreative me kulturën dhe ekonominë e vendit, ka filluar fushata edukuese dhe informuese kundër piraterisë nga data 15 qershor 2013.

Me anë të kësaj nisme sensibilizuese do të njoftohen të gjithë personat, fizik dhe juridik, të cilët bëjnë prodhimin, shpërndarjen, shitjen, apo vendosjen në internet, të produkteve të cilat përmbajnë materiale që mbrohen me të drejtën e autorit se janë të detyruar që të pajisen me kontrata apo autorizime përkatëse nga mbajtësit e të drejtave. Konkretisht, të sigurojnë që produktet e vëna në qarkullim të mos jenë produkte pirate apo të shkelin të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta.

Inspektimi i prodhuesve të produkteve që përmbajnë materiale që mbrohen me të drejtën e autorit, i tregut dhe uebfaqeve të internetit, do të filloj nga data 15 gusht 2013.

Task Forca, përmes institucioneve pjesëmarrëse në kuadër të saj, si Inspektoriatit të Tregut dhe Policisë së Kosovës, do të bëjë sekuestrimin e materialeve për prodhimin e tyre, pas datës 15 gusht 2013.

Ndaj personave që dyshohet se me veprime e tyre kanë bërë shkeljen e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta, do të ndërmerren masa administrative (në bazë të Ligjit për Drejtën e Autorit dhe Inspektoriatit të Tregut) dhe penale (në bazë të Kodit Penal). Sipas Ligjit për të Drejtat e Autorit, nëse personi juridik në kuadër të veprimtarisë së vet ose në biznes me të tjerët, shfrytëzon pa leje veprën e autorit ose lëndën nga të drejtat e përafërta, dënohet nga 2000 deri në 10000 Euro.

Sipas Kodit Penal, kushdo që bënë shkeljen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, dënohet me gjobë dhe/ose me burgim nga 3 muaj deri në 8 vjet. Sendet dhe pajisjet për prodhimin e produkteve që shkelin të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta konfiskohen. (PCWorld Albanian)

 kosova stem

Lajmet e fundit>