Lajmet

Në Prishtinë mbahet Firefox 4 Release Party

Apr 15 2011
0 Shpërndarje
Në Prishtinë mbahet Firefox 4 Release Party

Në hyrje të sallës ku u mbajt ngjarja, bëhej regjistrimi ndërsa më pas ata që morën pjesë kishin mundësi të merrnin edhe gjëra tjera me logon e shfletuesit Firefox.

Përpos këtyre tavolinave në hyrje, kishte edhe disa tavolina me disa gjëra ushqimore që do të mund të shërbenin për të pranishmit. Kjo ishte një ide mjaft e qëlluar, pasi që njerëzit e pranishëm mbase edhe mund të ishin të uritur, por edhe ata që nuk ishin të uritur do të mund të shërbeheshin. Në një nga muret e sallës ishte paraqitur një projektim i një llaptopi që paraqiste numrin e shkarkimeve që bëheshin vazhdimisht të versionit më të ri të këtij shfletuesi. Ky numër vërtet që rritej vazhdimisht me një ritëm mjaft të madh.

Ishte planifikuar që të fillonte në ora 18:00, por nisi në ora 18:20, dhe përfaqësuesi nga AUK Tech Club dhe njëherit edhe anëtar në FLOSSK, Taulant Ramabaja, hapi ngjarjen dhe filloi me ligjëratën.

Ai filloi t’i paraqiste edhe risitë që kishin ndodhur në versionin më të ri, duke përfshirë këtu HTML5 për video në ueb pa nevojë të Flash-it që ka disa patenta që kufizojnë lirinë e përdorimit, WebGL për grafika 3D etj. Taulanti me kënaqësi e paraqiste këtë shfletues dhe krenohej që edhe tek shqiptarët ky softuer i lirë gëzon një përkrahje të kënaqshme.

Në fund u bë përpjekja për të lëshuar një video inqizim të kryetarit të organizatës Mozilla në Evropë e cila do të ishte si përshëndetje për të pranishmit, por nuk u shfaq interesim edhe aq i madh për ta dëgjuar atë dhe altoparlantat nuk kishin zërim të mjaftueshëm. Videon mund ta shihni edhe online.

Gjatë ligjërimit Taulanti pati paksa vështirësi me audiencën, e cila shfaqi një interesim të dobët por mesa duket interesimi i tyre nuk mungoi kur ata patën rastin të shijonin një torte me logo të Firefox. Duhet të theksohet se numri i të pranishmëve ishte mbi 60, por jo të gjithë qëndruan deri në fund./pcworldalbanian

Lajmet e fundit>