Lajmet

Në Prishtinë mbahet panairi i punës për sektorin e IT-së

May 27 2014
0 Shpërndarje
Në Prishtinë mbahet panairi i punës për sektorin e IT-së

STIKK PP2014Gjatë ditës së sotme në Qendrën e Inovacionit në Kosovë (ICK), Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit në Kosovë (STIKK) mbajti panairin e punës në sektorin e IT-së. Në këtë panair u prezantuan 15 kompani të ndryshme si: Trokit, SAP, Cacttus, Asseco, AdaptivIT, ZAG Apps, Solaborate, Entermedia, Frakton, Project Praphics, DM Consulting / Portali “Dua Punë”, Data Prognet, ITD dhe STIKK/ICK.

Gjatë panairit u shfaqën 35 vende të lira pune, të cilat ishin kryesisht për dizajnë grafik, dizajnë të uebfaqeve, zhvillues të softuerëve, zhvillues të uebfaqeve, zhvillues për Android dhe iOS, menaxher të shitjeve dhe kontabilist.

Menaxherja e projekteve nga shoqata STIKK, Lorika Tahiri, tha për PCWorld Albanian që ky panair nuk është hapur vetëm për ata që janë të përgatitur që të futen në tregun e punës, por edhe për të orientuar studentët se çfarë në të vërtet kërkohet në treg. Sipas saj, gjatë panairit të sotëm kanë marrë pjesë studentë të më tepër se pesë fakulteteve si Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN), Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT), Fakulteti Ekonomik dhe Riinvest.

Zyrtari për burime njerëzore në kompaninë Cacttuss, Agim Maxhera, theksoi për PCWorld Albanian që të interesuar për vende pune ka mjaft, por që kompania të cilën ai e përfaqësoi në panair është e përqendruar më tepër edhe në orientimin drejt biznesit, e cila gjë është jo edhe aq e pranishme tek të interesuarit për vende pune. Po ashtu, në kuadër të panairit u prezantua projekti i përbashkët i ICK, UNDP Kosovo dhe Komunës së Prishtinës, Për Prishtinën Dixhitale që është nismë për të angazhuar qytetarët e Kosovës në përmirësimin e qeverisjes në qytetin e Prishtinës përmes teknologjisë. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>