Analiza

Në Test: iPhone 4 kundër të tjerëve

Jun 24 2010
0 Shpërndarje
Në Test: iPhone 4 kundër të tjerëve

E cekëm në lajmin e publikuar për iPhone 4 se PCWA do të sjellë një shpjegim të detajuar të modelit më të ri, por të gjithë e dimë se interesimi më i madh i përdoruesve është të kuptojnë se çfarë ka iPhone dhe çfarë ka konkurrenca apo më mirë thënë shumica parapëlqejnë të bëjnë krahasime të tipit kush është më i mirë, iPhone apo të tjerët…

Si rrjedhojë e kësaj, është vendosur që të shkojmë me një krahasim kokë me kokë me konkurrencën e iPhone, që kanë debutuar disa ditë më parë në tregun e ngarkuar të celularëve të mençur, përkatësisht  me Evo 4G dhe Droid X.

iPhone 4, Evo 4G e Droid X…

Që të tre kanë procesor me frekuencë punuese 1GHz. iPhone4  ka procesor Apple A4, Evo 4G ka Qualcomm Spandragon dhe Droid X punon në bazë të një procesori TI OMAP. Që të tre kanë kamera më të mira në ofertë: iPhone 4 ka një kamerë 5 megapikselëshe, kurse konkurrenca Droid X dhe Evo 4G kanë kamera 8 megapikselëshe. Që të tre kanë ekrane që sjellin rezolucione më të mëdha dhe aplikacione më të shumta në numër, por pavarësisht se kanë shumë ngjashmëri, ajo që është më interesante për ju dhe për ne janë dallimet.

Të mirat e iPhone 4

iPhone 4, natyrisht që bazohet në sistemin operativ të Apple, që tani quhet iOS 4 dhe në SHBA vetëm AT&T ka nderin e të pasurit në ofertë. (Jailbrake është zgjidhja për të tjerët!). Celulari i ri duket vërtetë i bukur dhe shumë i hollë, dhe ekrani i tij 3.5 inç LCD ka rezolucionin më të lartë prej 960 me 480 piksela, por duket se është fizikisht më i vogël sesa dy pajisjet tjera.

Megjithëse hardueri duket për mrekulli, përfitimi më i madh që ka ende iPhone është ekosistemi i saj i integruar me harduer, softuer dhe App Store, që punojnë si tërësi. Ka shumë aplikacione në kuadër të App Store, si në numër ashtu edhe në kualitet, dhe krahsuar me tërë konkurrencën e platformave mobile, ky është një dyqan aplikacionesh që mund të quhet në një formë mbret.

iPhone 4 ka gjithashtu një kamerë të përparme dhe video telefonatat FaceTime duket se funksinojnë më lehtë sesa tek zgjidhjet tjera.

Të këqijat

Këtu lexues të dashur të PCWorld Albanian bëhet fjalë për një ambient të mbyllur, kështu që Apple kontrollon atë që shkon në App Store, dhe ndonjëherë rezultatet janë të paparashikueshme. Këtë pikë më duhet ta ndërlidhi me diçka që pati deklaruar Richard Stallman kur ishte në Prishtinë, dhe kur tha se njerëzit duhet të jenë të lirë për shkak se ata duhet të zgjedhin atë që dëshirojnë e jo atë që dikush ua imponon. Konkretisht ai ka dashur të theksoj se prodhues si Apple mund të kontrollojnë edhe atë që instaloni në iPhone, dhe mund të fshijnë çkado që dëshirojnë, edhe pse ju jeni pronari.

Tani për tani në ditën e parë të lansimit, tjera anë negative mund të llogariten problemet me telefonata që po ka iPhone, kryesisht me rrjetin AT&T e përveç kësaj edhe ekrani duket se po ka probleme tek disa përdorues. Mos ofrimi i mundësisë për të zgjeruar diçka, gjithashtu mund të llogaritet anë negative tek iPhone, pasi që ju as nuk keni mundësi të largoni baterinë apo të shtoni kartelë memorie.

Natyrisht ju kujtohen fërkimet mes Apple e Adobe, e sigurisht rezultati ishte mungesa e Flash në iPhone që do të thotë se disa ueb faqe nuk mund të funksionojnë si duhet (vetëm në rast se e bëni jailbrake).

Konkurrenca

Celularët tjerë, përkatësisht Droid X dhe Evo 4G punojnë mbi platformën e Google, Android që është dukshëm platformë më e hapur. Android u ofron përdoruesve të saj liri që të zgjedhin krijuesin e celularit të tyre dhe të zgjedhin operatorin me të cilin dëshirojnë kontrat e gjithashtu dyqani online për aplikacione Android, Android Market është dukshëm më i hapur në të pasurit qasje në aplikacione sesa tek Apple App Store. Nuk ka aq shumë aplikacione sa ka në App Store, por ka mjaftueshëm dhe shumica prej tyre ofrohen për përdorim të menjëhershëm.

E metë e konkurrencës mund të llogaritet tendenca e tyre për të qenë më kompleks. Ndërfaqet e tyre nuk kanë përputhje dhe disa prodhues krijojnë apo më mirë thënë shtojnë përmirësime apo avancime të veta që mund të bien apo mos bien në konflikt me istemin operativ dhe operatorin. Ju keni gjërat nën kontroll, por këtu duhet më shumë punë.

Evo 4G, të mirat dhe të këqijat përballë iPhone 4

Evo 4G ka një ekran më të madh 4.3 inç, me rezolucion prej 800 x 480 piksela dhe si rezultat, celulari është mëi madh sesa iPhone 4. Ai ka një mori veçorish interesante, duke përfshirë një kamerë frontale për video-konferenca dhe aftësi për tu përdorur si hot-sport mobil. Ai ka kamerë 8 megapikselëshe, dalje HDMI e shumëçka tjetër, për të cilat mund të lexoni në një artikull tjetër të postuar kohë më parë këtu në PCWorld Albanian.

Anët negative të tij janë jo të pakta: ekrani i madh që e bënë të duket më të madh para iPhone 4 por e bënë më të rëndë në peshë e përveç kësaj edhe bateria është një tjetër anë negative, që ju shtyn të merrni kabllon e rrymës me vete ngado që shkoni. Ka probleme tjera por ato mbetet të riparohen me kohë.

Gjithashtu gati harruam të theksojmë se tani pë tani Flash nuk punon as këtu, por në gjysmën e këtij viti, përkatësisht gjatë verës pritet që të ofrohet versioni i ri Android 2.2 dhe Flash 10.1 do të jetë i pranishëm në pako.

Droid X, i bukur por…

Droid X, ashtu si Evo 4G, ka një ekran 4.3 inç LCD por ka rezolucion dukshëm më të lartë prej 854 me 480 piksela dhe ofrohet me Android 2.1, kurse përditësimi në Android 2.2 me Flash 10.1 pritet të bëhet gjatë verës (Pajisja pritet të jetë në treg me 21 korrik). Ai gjithashtu ka një veçori për wifi hot-sport, bateri që largohet dhe memorie që mund të zgjerohet.

Për më shumë rreth Droid X shikoni këtu në një analizë të botuar gjatë ditës së djeshme.

Mendimi përfundimtar

Nuk mund të thuhet se cili është më i mirë se tjetri. Disa preferojnë celularë më të vegjël e disa insistojnë për tastierë fizike, sikurse që është rasti me BlackBerry. Disa kërkojnë kamerë me më shumë megapiksel e disa kërkojnë thjeshtë iPhone e asgjë tjetër. Për këta të fundit, edhe nëse konkurrenca prodhon “iPhone Serial Killer” apo “iPhone Destroyer” nuk ka asnjë mundësi që të ndërrohet mendimi rreth Apple iPhone.

Këtë e vërtetojnë edhe shifrat rekorde të para-porosive dhe shitjeve të iPhone në ditën e parë të shpalosjes, gjegjësisht lansimit.

Specifika teknike për iPhone 4

Dimensionet:
Lartësia 115.2 mm, Gjerësia 58.2 mm
Pesha: 137 gram
Kapaciteti: 16 GB ose 32 GB
Tipi: UMTS/HSDPA/HSUPA (850, 900, 1900, 2100 MHz)
Komunikim: Bluetooth 2.1+EDR, 80211 b/g/n WiFI
GPS: A-GPS, Kompas Digjital,
Ekrani: Retina 3.5 inç (Multitouch) 960 x 640 piksela në 326 ppi
Audio formate të përkrahuara: AAC, AAC+, HE-AAC, MP3, MP3 VBR, AAX, AIFF, WAV, etj
Video formate të përkrahuara: H.264, AAC-LC, MPEG-4, AAC-LC, M-JPEG, etj
Kamera: 5 megapiksel me blic LED dhe me aftësi për video në 720p / kamera e përparme VGA që gjithashtu mund të fotografojë dhe incizojë në 30 fps
Porte: 3.5 mm për kufje
Sensorë: Gyro(Tre akse)+Akselerometër, Proximity Sensor, Ambient Light Sensor
Fuqia: Apple A4 me 1GHz
Çmimi: 630 Sim-Free (16GB) ose 740 euro Sim-Free (32 GB).
Me kontratë: 199 dollarë për 16 GB me AT& dhe  199 dollarë për 32 GB me AT&T

Çfarë mendoni ju? A është iPhone ende mbret i tregut? Dhe cili është më i miri prej këtyre tre celularëve? Mos hezitoni komentoni më poshtë.

Lajmet e fundit>