Lajmet

Në Tiranë do të organizohet për të dytin vit radhazi Startup Weekend

May 25 2013
0 Shpërndarje
Në Tiranë do të organizohet për të dytin vit radhazi Startup Weekend

Startup weekend TiranaStartup Weekend, eventi që nxjerr në pah modelet e sipërmarrjes interaktive dhe krijimin e grupeve të talentuara të punës në fushën e ICT-së, do të organizohet për të dytin vit radhazi në Tiranë.

Duke ndjekur suksesin e vitit të kaluar, Startup Weekend do të synojë të komercializojë idetë më interesante si dhe të promovojë shembuj produktesh inovative në tregun e ICT-së.

ICTS Media dhe mediumi më popullor i teknologjisë në trevat mbarëshqiptare, PCWorld Albanian, do të ndjekin nga afër eventin që zhvillohet brenda 54 orëve si dhe njëkohësisht do të jenë sponsorë të aktivitetit.

Dhjetëra të pasionuar dhe të interesuar për formimin e bizneseve fitimprurëse do të mblidhen edhe këtë vit, ku do të kenë mundësinë e prezantimit të idesë për biznes. Gjatë 54 orëve të zhvillimit, aktiviteti shërben si platformë lidhëse mes programuesve, dizajnerëve, reklamuesve, menaxhereve të produkteve, financierëve, investuesve potencialë dhe entuziastëve të teknologjisë të cilët mblidhen për të ndarë ide, për të formuar ekipe, për të lançuar produkte dhe kompani të reja.

Eventi do të fillojë të premten e datës 7 qershor ku do të paraqiten fillimisht idetë dhe të regjistruarit do të krijojnë mes tyre grupet e punës. Individët pjesëmarrës duhet, në pak sekonda kohë, të jenë në gjendje të entuziazmojnë publikun për idenë e tyre. Gjatë orëve të fundjavës fokusi do të jetë mbi zhvillimin e ideve, validimin e tyre, implementimin si dhe ndërtimin e një produkti në miniaturë.

Të dielën në darkë, pjesëmarrësit do të prezantojnë prototipet e tyre përpara një paneli të përbërë nga investitorë dhe sipërmarrës potenciale. Rrjeti i pjesëmarrësve përbëhet nga ekspertë, të rinj, apo njerëz me ide të cilët përmes aftësive të tyre mund të shfrytëzojnë maratonën 54-orëshe për të gjetur një vend pune apo invesitorë të gatshëm për të mbështetur krijimin e një ndërmarrjeje të re.

Kjo ngjarje risi në tregun shqiptar është një nga alternativat më të mira për të mësuar, për të ndërtuar realisht një biznes, për të krijuar kontakte me profesionistë apo të talentuar të fushës së ICT-së etj. Regjistrimet kanë filluar. Ato mund të bëhen online përmes faqes zyrtare. (PCWorld Albanian)

tirana

Lajmet e fundit>