Lajmet

Në Tiranë mbahet forum i parë mbi komunikimet elektronike

Sep 27 2011
0 Shpërndarje
Në Tiranë mbahet forum i parë mbi komunikimet elektronike

Vendet që do të monitorohen në këtë projekt – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Islanda, Mali i Zi, Serbia, Kosova, Maqedonia dhe Turqia, të pranishme në Forum, të cilat janë në faza të ndryshme në rrugën e tyre drejt BE-së – u është dhënë perspektiva për t’u bërë anëtarë të të kësaj organizate sapo të përmbushin kushtet e nevojshme. 

Qëllimi kryesor i projektit është që të ndihmojë Komisionin Evropian dhe autoritetet në vendet kandidate dhe potencial-kandidate te BE-së në monitorimin e progresit të bërë nga secili prej tyre drejt përputhjes me rregullat e BE-së për komunikimet elektronike dhe shërbimet e shoqërisë së informacionit, si dhe të konvergjencës me tregun e brendshëm të BE. 

Për këtë qëllim, projekti do të hartojë katër studime të përkohshme dhe do të raportojë çdo nëntë muaj në periudhën 2011-2013. 

Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit z. Genc Pollo i cili ishte mikpritësi i këtij eventi në Tiranë, u shpreh në një deklaratë për mediet: “Sot për herë të parë mbahet në Tiranë forumi i Cullen International. Është një organizatë e cila në emër të BE-së bën studime krahasuese në fushën e komunikimeve elektronike. Është një kënaqësi e veçantë që Shqipëria bëhet mikpritësja e këtij forumi, i cili deri tani është mbajtur në vende të tjera të BE-së.

z. Pollo më tej shtoi se nëse kujtohet ku kemi qenë 3 apo 7 vjet më parë, të gjithë e mbajmë mend se sa paguanim për të folur 1 minutë në celular. “Sot, në sajë të të rregullimit të tregut, të portabilitetit të numrit, të operatorëve të rinj në treg, kemi oferta, paketa konkurruse, çmimet reale kanë rënë dhe janë bërë të krahasueshme me vendet ku konkurrenca funksiono”.

“Po ashtu mund të themi që në 6 vitet e fundit kemi kërcyer nga 4% të penetrimit të internetit në mbi 50%, në sajë të masave, të investimeve, kuadrit rregullator, legjislacionit përkatës, por edhe falë investimeve direkte të Qeverisë” përfundoi ai.

z. Olivier Pascal, përfaqësuesi i Komisionit Evropian në Forum tha: “Jemi shumë të gëzuar që jemi në Shqipëri, e cila mirëpriti projektin e Monitorimit për komunikimet elektronike dhe shoqërisë e informacionit. Është e njohur tashmë rëndësia e Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit në këto kohë të vështira të ekonomisë botërore dhe ne mendojmë se për tu rimëkëmbur TIK është thelbësore. KE ka një agjendë digjitale e cila inkurajon përdorimin e TIK në mbështetje të qytetarëve dhe biznesit dhe ne besojmë që edhe Shqipëria është pjesë e kësaj agjende. Me anë të këtij projekti, këtij mekanizmi vlerësimi dhe monitorimi shpresojmë që edhe Shqipëria do të arrijë të bashkohet me përpjekjet tona për të liberalizuar këtë sektor.” 

Forumi dy-ditor beri prezantimin e raportit te pare te monitorimit, si dhe në mes tjerash ofroi mundësi për diskutime mbi çështje me interes te zhvillimit te vendeve te rajonit sipas praktikes evropiane për komunikimet elektronike dhe shoqërisë e informacionit. Nder çështjet qe u diskutuan ishin politikat spektrale, shërbimi universal, mbrojtja e konsumatorit, konvergjenca midis shërbimeve telefonike fikse dhe atyre te lëvizshme, etj.

Lajmet e fundit>