Lajmet

Në Tiranë shënohet 1 vjetori i formimit të Open Labs

Jul 10 2013
0 Shpërndarje
Në Tiranë shënohet 1 vjetori i formimit të Open Labs

Më datën 16 korrik në Tiranë pritet të shënohet përvjetori i parë i themelimit të komunitetit Open Labs. Pjesëmarrja në këtë përvjetor parashihet që të përbëhet kryesisht nga entuziastë të teknologjisë së hapur dhe një edukimi të lirë.

Open Labs është një komunitet i cili promovon dijen e lirë dhe të hapur nëpërmjet teknologjisë. Si grup aktivistësh ka filluar më 16 korrik të vitit 2012 dhe deri më tani janë organizuar mbi 50 aktivitete si punëtori për Linux, WordPress, Audiacity dhe programe të tjera me burim të hapur, projeksione dokumentarësh dhe filmash të publikuar në Creative Commons, lokalizime në shqip të ligjëratave të TED-it etj.

Ky komunitet është po ashtu njëri nga nismëtarët e projektit WMKIT që është një paketë edukative me materiale elektronike e bazuar në Arduino dhe që ka si qëllim që të promovojë mësimin e programimit, veprimtarinë e hakimit (të ligjshëm) me anë të eksperimenteve të ndryshme.

Open Labs përveç aktiviteteve që i ka mbajtur, si grup ka marrë pjesë në ngjarje të natyrës që kanë të bëjnë me qëllimin e këtij grupi si konferenca vjetore Software Freedom Kosovo, panairin e teknologjisë Technology Fair Prishtina, prezantimi në Hackerspace Athens, Commons Fest në Kretë të Greqisë, Betahus në Berlin Për momentin Open Labs është duke u organizuar që të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare openSUSE në Selanik, që planifikohet të mbahet më 21 korrik.

Pjesëmarrës mund të jenë të gjithë në këtë ngjarje, sikur në çdo ngjarje tjetër të Open Labs, të cilat janë të hapura dhe pa pagesë, që paraqet edhe qëllimin e këtij komuniteti: shpërndarja e dijes mes komunitetit duke përdorur të dhëna të hapura, softuerë me burim të hapur dhe standarde të hapura. (PCWorld Albanian)

Open Labs banner

Lajmet e fundit>