Lajmet

Në versionin e ardhshëm të Android-it enkriptimi i të dhënave do të jetë standard

Sep 20 2014
0 Shpërndarje
Në versionin e ardhshëm të Android-it enkriptimi i të dhënave do të jetë standard

Pa kaluar një ditë kur kompania Apple tregoi për hollësitë e saj për privatësinë e përdoruesve në produktet e veta, Google tani planifikon të shifrojë të dhënat e përdoruesve në të gjitha pajisjet me Android.

google

 

Sipas Washington Post, Google pretendon që enkriptimi i të dhënave tani do të jetë një pjesë e procesit të aktivizimit në vend se të jetë një veçori jo e detyrueshme.

Rezultati i fundit do të jetë që çfarëdo të dhëna që ruhen në atë pajisje, qoftë ajo një tablet apo telefon, nuk do të jenë të qasshme përderisa personi nuk e shkruan fjalëkalimin e saktë.

“Për më tepër se tre vite, Android ka ofruar enkriptim dhe çelësat nuk janë të ruajtur jashtë pajisjes, kështu që ata nuk mund të shpërndahen me zbatuesit me ligjit,” tha një zëdhënës i Google për The Verge.

“Si pjesë e lëshimit tonë të ardhshëm të Android-it, enkriptimi do të lëshohet vetvetiu, kështu që nuk do të keni nevojë që të mendoni për ta ndezur atë.”

Në rastin e Apple, kjo kompani ka vendosur tashmë që të bëjë enkriptimin e të dhënave për të gjithë përdoruesit e iOS 8, si përditësim pa pagesë që erdhi gjatë të enjtes.

Kompania tha që askush nuk mund të tejkalojë një kod kalimi për t’iu qasur të dhënave, duke iu bërë me dije zyrtarëve të zbatimit të ligjit që të mos provojnë të kërkojnë të dhëna.

Google tashmë ka paraqitur planet e veta për versionin e ardhshëm të sistemit Android, Android L. Shumë ndryshime janë në dukje, ku Google është duke kaluar në një pamje të re të quajtur Material Design, ndonëse kompania bëri disa ndryshime madhore për ta përforcuar anën softuerike.

Derisa ende nuk është treguar ndonjë datë se kur mund të bëhet lëshimi, Google gjatë qershorit tha që pret ta bëjë lëshimin e këtij sistemi më vonë gjatë këtij viti. (PCWorldAlbanian)

Lajmet e fundit>