Analiza

Net Applications: 41% e të gjithë licencave të shitura të Windows 8 nuk janë në përdorim

May 11 2013
0 Shpërndarje
Net Applications: 41% e të gjithë licencave të shitura të Windows 8 nuk janë në përdorim

Gjatë kësaj jave Microsoft-i lajmëroi se kishte shitur 100 milionë licenca të Windows 8 për një periudhë prej gjashtë muajsh.

Por, sa prej tyre po përdoren realisht? Kësaj pyetjeje është i gatshëm t’i përgjigjet Patrick Moorhead, analist i Moor Insights & Strategy.

Microsoft-i e llogarit numrin total të licencave të shitura sa herë i jep një kopje prodhuesve të pajisjeve, por njëkohësisht edhe konsumatorëve që bëjnë kalimin nga një version më i vjetër i Windows-it në Windows 8.

Sipas Microsoft-it, numri përllogaritës që ata kanë publikuar, si për licencat e Windows 8 ashtu edhe për ato të Windows 7, nuk përfshin marrëveshjet apo kontratat sipas së cilave këto sisteme operative u janë shitur kompanive apo ndërmarrjeve.

Por problemi i vërtetësisë së 100 milionë licencave të shitura lidhet me faktin se sipas Microsoft-it, një licencë quhet e shitur në momentin që del nga kompania. Pra, në këtë grumbull përfshihen edhe licenca për PC, tabletë apo pajisje hibride që nuk janë blerë ende nga konsumatorët.

Prandaj, një pjesë e konsiderueshme e këtyre pajisjeve gjenden nëpër raftet e magazinave të fabrikave apo shitësve me pakicë.

Por sa prej 100 milionë licencave të deklaruara nga Microsoft-i janë realisht në përdorim? Sipas Net Applications, në të gjithë botën ka 1.4 miliardë PC me Windows. Të dhënat nga Net Applications llogariten në bazë të kompjuterëve apo pajisjeve që aksesojnë internetin, pra në këtë numër nuk llogariten harduerët të cilët nuk janë online.

Për muajin prill, bazuar në këto të dhëna, Windows 8 mbante një pjesë prej 4.2% të të gjithë PC-ve me Windows. Pra, shifra prej katër pikë dy përqind e 1.4 miliardë PC-ve rezulton në rreth 58.6 milionë.

Me pak fjalë, numri i pajisjeve që përdorin Windows 8 deri në muajin prill ishte më i ulët se 100 milionë nga sa pretendon Microsoft-i.

Sistemet e tjera operative ndahen si më poshtë: për XP llogariten 584.4 milionë pajisje, Windows 7 ka një numër prej 682.2 milionë pajisje online, Vista 72.5 milionë (shifër më e lartë se Windows 8). Një fakt suprizues është edhe Windows NT, sistemi i lançuar fillimisht në vitin 1993, i cili përdoret nga 1.7 milionë PC. (PCWorld Albanian)windows 8

 

Tags >

Windows 8
Lajmet e fundit>