Blog

Netbook/Notebook: diçka po ndodh në mes

May 20 2009
0 Shpërndarje
Netbook/Notebook: diçka po ndodh në mes
Prej rreth dy vjetësh tregu i kompjuterëve portativë ka pasur një zhvillim të vrullshëm. Nga njëra anë, notebook-ët janë fuqizuar aq shumë sa të lejojnë edhe veprimet më komplekse, nga ana tjetër, netbook-ët janë kthyer nga lodra fëmijësh në një realitet solid për përdoruesit që kërkojnë portabilitet absolut. Shtysë e madhe në këtë fushë ishte hyrja e Intel Atom dhe më së fundi Athlon Neo nga AMD ka rritur më tej nivelin e performancës për procesorët me konsum shumë të ulët.
 
Notebook dhe netbook është pothuajse një lojë fjalësh. Të parët ofrojnë performancë të ngjashme me desktopët, ndërsa të dytët janë një variant i vogël, i lehtësuar, pa DVD player. Por çfarë po ndodh në mes? Në hendekun midis notebook-ëve dhe netbook-ëve, historikisht janë vendosur notebook-ët ultraportabël, me monitorë shpesh touch screen prej 11” deri në 13” dhe çmime stratosferike, shumë larg buxhetit të pjesës më të madhe të blerësve, por kohët e fundit, diçka po lëviz…
 
Eee PC seria 1000H
 
Eee PC 700 Asus ishte kompania e parë që ofroi një alternativë të vlefshme në një sektor që deri në atë moment kishte parë vetëm lodra fëmijësh dhe aksesorë ultra të shtrenjtë pasanikësh. Monitori i vogël dhe tastiera e parehatshme ishin të vetmet të meta të kësaj pajisjeje që kishte arritur të paraqitej me çmimin dhe performancën e duhur. Brenda një viti, standardi i netbook-ëve u bë monitori 8.9” me Asus Eee PC 900 dhe Acer Aspire One; performanca e përmirësuar e Atom N270, hard disku më në fund i kënaqshëm, monitori më i rehatshëm dhe çmimi rreth 300 Euro i bën këto pajisje super të përhapura, ndjekur nga alternativa pak më të kushtueshme të Dell, HP, MSI etj. Kur çmimi i tërë pajisjes është vetëm 300 Euro, çdo euro rëndon. Alternativat e Acer dhe Asus kanë pasur kështu sukses shumë më të madh se ato të konkurrencës, shpesh duke kushtuar vetëm 10 apo 20 Euro/Dollarë më pak, ndërsa në tregun shqiptar, kjo diferencë e vogël në çmim ka bërë që ende të mos shfaqen alternativa netbook-ësh nga Dell apo HP.
 
Muajt e kaluar Asus ka pasuruar gamën Eee me ultra të hollin Eee PC 1008HA dhe versione standarde 1000HA dhe HE, të gjithë me monitorë 10.2” dhe procesorin pak më të fuqishëm Atom N280. Modelet bazë të kësaj serie kanë gjetur menjëherë vend në çmimet e modeleve të mëparshme EeePC 900. Një ndër diferencat më të dallueshme të 1000HE me shumë netbook-ë të tjerë është se ai trupëzon në mënyrë shumë elegante një bateri me 6 qeliza, e cila në modelet e mëparshme të Asus dhe të konkurrencës krijonte një fryrje të dukshme në pjesën e poshtme pranë monitorit. Në këtë model, tri qelizat “e tepërta” të baterisë integrohen bukur në palosjen e kapakut, duke garantuar, sipas Asus, rreth 7 orë aktivitet.
Si shumë modele me monitor 10”, Seria 1000H e Asus ka ngrënë ca si shumë dhe me rreth 1640gr, peshon bollshëm mbi 1 kg, por përsëri, shumë më pak se 3-5Kg e një laptopi standard.
 
HP Pavilion DV2
 
Megjithëse Intel Atom u bë shpejt procesori standart i netbook-ëve falë konsumit shumë të ulët, performanca e tij është e pamjaftueshme për ngarkesa pak më të mëdha se web faqet, prandaj AMD iu përgjigj këtij procesori me Athlon Neo, për të pajisur netbook të një niveli më të lartë fuqie. Laptopi i parë i shpallur dhe tashmë në shitje në USA dhe Europë ishte Pavilion DV2 nga HP.
 
Me tipar dallues monitorin 12”, këtu kalojmë në kategorinë e notebook-ëve ultra të hollë. Athlon Neo MV-40 është procesori i cili do të pajisë modelet e para dhe performanca e tij është superiore krahasuar me Atom N270. Kapërcehet dhe limiti i zakonshëm prej 1.5-2.0 GB për RAM-in e netbook-ëve; seria DV2 do të ofrojë deri në 4GB RAM. Gjithashtu, përveç disqeve optike, nga DVD deri në Blu Ray burner, DV2 do të pajiset shpesh me adaptorin grafik HD3410, për një fuqi grafike të paprecedentë në këtë kategori.
 
Moment historik
 
Pavilion DV2 është vetëm i pari nga një listë notebook-ësh ultra të hollë që priten këtë vit. Me gjithë këto opsione të shtuara, në çmime midis $600 dhe $900, plotësohet më së fundmi boshllëku i madh dhe ëndrra e një pjese të madhe të konsumatorëve; një laptop i lehtë, i vogël, me monitor të kënaqshëm, performancë të pranueshme, i paketuar në një çmim të aksesueshëm për të gjithë.
 
Mrekullitë mbase nuk ndodhin përditë, por herë pas here elektronika moderne na ka mësuar me të tilla shpërthime dhe përtej teknologjive të reja të panumërta, mrekullia e radhës janë këto çmime shumë më të arsyeshme te notebook-ët ultra të hollë.

 

Lajmet e fundit>