Lajmet

Newsweek: Mendohet se është zbuluar krijuesi i Bitcoin-it, Satoshi Nakamoto

Mar 8 2014
0 Shpërndarje
Newsweek: Mendohet se është zbuluar krijuesi i Bitcoin-it, Satoshi Nakamoto

bitcoin_yearinreviewSipas një raporti lajmesh, krijuesi i Bitcoin-it, monedhës së famshme virtuale, është një 64 vjeçar që jeton afër Los Anxhelosit. I njohur me emrin pseudonim Satoshi Nakamoto, 64 vjeçari ka refuzuar të flasë lidhur me këtë çështje. Faktikisht, Nakamoto është emri i vërtetë i personit dhe jo një pseudonim, sipas raportit nga Newsweek. Ai i ka thënë gazetës se nuk është më i përfshirë në Bitcoin. “I është dorëzuar njerëzve të tjerë,” u shpreh ai. “E kanë ata nën kontroll tashmë, unë nuk kam më asnjë lidhje.”

Ai gjithashtu nuk u tregua i hapur lidhur me formimin e tij profesional apo akademik, raporton gazeta. Dihet deri tani që është diplomuar në fizikë nga California State Polytechnic University në Pomona. Ndërkohë, të enjten në mbrëmje, personi i referuar si Dorian Prentice Satoshi Nakamoto, u shpreh për Associated Press se nuk kishte të bënte me Bitcoin-in. Ai tha se nuk kishte dëgjuar për të deri në momentin që i kishte treguar i biri, i cili ishte kontaktuar nga një reporter i Newsweek tre javë më parë.

Shefi i Bitcoin Foundation, Gavin Andresen, është shprehur për Newsweek se ka komunikuar me Nakamoton vetëm përmes e-mail-it. Nakamoto, sipas tij, nuk ka bërë më ndryshime në kodin e Bitcoin dhe është zhdukur nga radari i monedhës që prej fillimit të vitit 2011.

Bitcoin është një sistem pagese mes njerëzve i cili përdor algoritme kriptografike me burim të hapur për të mundësuar transaksionet si dhe për të krijuar njësi të monedhës dixhitale të quajtur Bitcoin. Kohët e fundit monedha është vendosur në qendër të vëmendjes për shkak të disa këmbimeve që rezultuan në probleme. Për shembull, Mt. Gox që merret me këmbimet valutore të monedhës, nënshkroi falimentin muajin e kaluar pasi humbi 470 milionë $ të vlefshme në Bitcoin. (PCWorld Albanian)

Tags >

Bitcoin
Lajmet e fundit>