Biznes

Nga 1 marsi tarifat e komunikimit për 30% më lirë në Shqipëri

Feb 24 2011
0 Shpërndarje
Nga 1 marsi tarifat e komunikimit për 30% më lirë në Shqipëri

Reduktimi i ri i tarifave me shumicë të telefonisë mobile do të vazhdojë deri në 2015 dhe do t’i çojë tarifat drejt kostos. Sipas Altin Rrapaj, drejtor i Rregullimit të Tregut në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare ulja e tarifave me shumicë do t’ju krijojë operatorëve hapësirën për të konkurruar me tarifa më të ulëta për thirrjet midis rrjeteve të ndryshme.
AKEP ka vendosur gjithashtu t’ju kërkojë operatorëve celularë të ulin tarifat me shumicë edhe për mesazhet e shkruara, tarifa që janë shumë më të larta se kostot. Për mesazhet e shkruara fillimisht vendimi do të ketë vetëm vlerë rekomanduese, deri në kryerjen e shpejtë të një analize tregu që është kërkesë ligjore për t’i dhënë vendimit vlerë detyruese.

Marrja e vendimit nga AKEP për nivelin e tarifave të terminimit në katër rrjetet mobile, për një periudhë 4-vjeçare, krijon një precedent të ri i cili ka efekte pozitive në treg, jo vetëm për reduktimin e nivelit të tarifave, por edhe në mundësitë që u krijohen të gjithë lojtarëve në treg për përshtatjen e planeve afatgjate të biznesit.

Vendimi i fundit i AKEP synon të çojë drejt uljes tarifat ndërmjet rrjeteve të ndryshme që vazhdojnë të jenë shumë të larta. Meqenëse reduktimet e tarifave janë të ndjeshme për të katër operatorët aktualë në treg, AKEP gjykon se aplikimi i reduktimit të përshkallëzuar është mënyra e drejtë e zbatimit të orientimit në kosto.

Për afatet kohore të reduktimit të përshkallëzuar AKEP në procesin e konsultimit publik propozoi që tarifat e katër operatorëve celulare të reduktohen sipas afateve dhe vlerave për AMC, Vodafone, Eagle Mobile dhe Plus.

Tarifat e të katër operatorëve fillojnë të reduktohen më 01.03.2011, ku për AMC dhe Vodafone tarifa e terminimit barazohet me tarifën mesatare në vendet e BE-së në vitin 2009, të publikuar në Raportin e 15-të KE, prej 6.7 euro cent duke përdorur kursin mesatar të këmbimit prej 132.06 lekë/euro për vitin 2009.

Për Eagle Mobile dhe Plus Communication reduktimi në fazën e parë parashikohet të kryhet duke ruajtur asimetrinë aktuale në terma relativë me AMC/Vodafone. Asimetria midis tarifave EM dhe AMC/Vodafone, Plus dhe AMC/Vodafone, Plus dhe EM, ruhet në periudhën e parë ose të dytë dhe më pas vjen gjithmonë në rënie deri në zero. Tarifat e AMC, Vodafone dhe EM konvergojnë më 1 shtator 2013, në vlerën e llogaritur të BU-LRAIC 4.57 lekë/minutë. Tarifa e Plus konvergon me tarifën e tre operatorëve të tjerë në vlerën 4.57 lekë/minutë më 1 shtator 2015.
Reagimet e operatorëve shqiptar

Vodafone Albania ka rezerva dhe risjell në vëmendje komentet e dhëna në muajin korrik 2010 për rezultatet e modelit dhe asimetrinë e propozuar. Vodafone propozon reduktimin e përshkallëzuar sipas vlerave të korrikut të vitit2010. Sipas saj nëse AKEP nuk merr në konsideratë propozimin e mësipërm, atëherë AKEP duhet të mos devijojë nga propozimi i konsulentit të dhënë në dokumentin për këshillim publik.

AMC në anën tjetër shprehet se është e paqartë lidhur me modelin e përdorur dhe do të donte një njohje më të thellë të tij. Një shqetësim tjetër është se llogaritjet e tarifës duke u bazuar në mesataren evropiane nuk kanë pasqyruar saktë ndryshimet e kursit të këmbimit lekë/euro, duke sqaruar se kursi aktual nga koha kur janë bërë llogaritjet ka ndryshuar nga 134 në 139 lekë/euro, çka pasqyron një ulje të tarifës në valutë nga 6.7 euro cent që është marrë si tarifë mesatare e vendeve të BE-së, në 6.4 euro cent.

Kompania Eagle Mobile e gjykon shumë të shkurtër periudhën e ruajtjes së nivelit të asimetrisë në favor të tij, duke kërkuar kështu një kohë më të gjatë për të qenë sa më konkurrent me dy operatorët e mëdhenj që operojnë prej vitesh në këtë treg. Gjithashtu kompania Eagle Mobile shprehet kundër rregullimit me kostot BULRAIC dhe kërkon përdorimin e mesatares së Bashkimit Evropian si instrument për rregullimin e tarifave të terminimit.

Operatori më i ri në tregun e Shqipërisë është shprehur se përshkallëzimi dhe afatet kohore të propozuara në dokument janë të disfavorshme për të. Duke qenë një operator i ri në këtë treg, do t’i duhej një kohë më e gjatë për të përfituar asimetrinë e tarifave në raport me operatorët e tjerë. Ai nuk është dakord me vlerat e përshkallëzuara duke pretenduar se brenda 3 vjetëve do t’i duhet të përballet me ulje drastike të tarifës së terminimit. Plus komenton se asimetria për Eagle zgjat 5 vjet (2008-2013), ndërsa për Plus 4 vjet 2010-2014 dhe kjo nuk është e drejtë.

Lajmet e fundit>