Analiza

Ngritja dhe suksesi i shfletuesit Vivaldi

Feb 7 2015
0 Shpërndarje
Ngritja dhe suksesi i shfletuesit Vivaldi

vivaldi_red

Startupi Vivaldi Technogies ka debutuar së fundmi me një shfletues të ri uebi. Ndoshta bota e teknologjisë nuk ka më nevojë për një shfletues të ri, por shefi i Vivaldi Technologies mendon se tregu ka akoma një vend për dicka të tillë. Mbase përdoruesit kanë nevojë për një shfletues nga i cili mund të përfitojnë më shumë. Ky shfletues është dizenjuar për të tërhequr përdoruesit e Opera. Ka akoma rreth 20 milion përdorues që përdorin sot Opera 12 edhe pse ky shfletues është lançuar para tre vitesh. Me Vivaldi Technical Preview 1, kompania po mundohet të bëjë para nga reklamat që shfaqen tek përdoruesi.

Vivaldi Technical Preview 1 përfshin një ndërfaqe për komandat e shkruara, një sistem të përmirësuar të shkurtesave të lidhjeve dhe të ashtuquajturat “tabs” që ndihmojnë përdoruesit për të organizuar me mirë faqet që po navigojnë. Ai do të jetë i pajisur dhe me veglën ‘speed dial’ për të aksesuar sa më shpejt faqet e preferuara. Ekipi qe po ndërton Vivaldi përbëhet nga 25 njerëz, ndër të cilët 18 janë gjithashtu pjesë e skuadrës së Opera. Shfletuesi fillestar i Vivaldi është i disponueshëm për Windows, Mac dhe Linux dhe më pas do të lançohet dhe versioni mobile.

Por si do operojë shfletuesi i ri në treg në krahasim me shfletuesit ekzistues?! Zakonisht në një kompjuter normal ekzistojnë katër shfletues: Internet Explorer, Mozilla Firefox, Google Chrome ndërsa Safari në kompjuterat Mac. Sipas Vivaldi technologies kaq nuk mjaftojnë. Vivaldi përdor burimin e Chromium si motor përpunimi. Mënyra e tij e organizimit në foldera e bën shumë më të thjeshtë përdorimin e tij. Risia që sjell Vivaldi është dhe opsioni Notes me anë të të cilit ju mund të mbani shënime për në një ueb faqe të caktuar. Ai nuk shquhet për elegancë por është jashtëzakonisht i shpejtë në krahasim me shfletuesit e tjerë. Gjatë testimit rezultoi se disa nga karakteristikat e Vivaldi ishin konkuruese me ato të kompanive prestigjoze madje në disa herë dhe i tejkalonin ato.

Direkt pas lancimit Vivaldi u përball me një sukses të jashtëzakonshëm. Vetëm në 10 ditët e para shfletuesi u shkarkua 500.000 herë. Kjo është relativisht një shifër e lartë duke marrë parasysh se shfletuesi është akoma në versionin e paraqitjes teknike. Gjatë lançimit të tij, shefi i kompanisë deklaroi se i duhej vetëm një shifër prej disa milionash për të përfituar në një treg që dominohet nga gjigandët e teknologjisë. Nëse doni të provoni potencialin e këtij shfletuesi, mund ta shkarkoni në këtë lidhje. (PC World Albanian)

 

Lajmet e fundit>