Blog

Një +355 për dy Shqipëri!

Apr 2 2009
0 Shpërndarje
Një +355 për dy Shqipëri!

Me SHBA-në dhe Anglinë mund të kushtojë lirë me Skype, por me Shqipërinë vetë dhe Kosovën kushton shumë më shtrenjtë. Fut në këtë situatë faktin që më duhet të komunikoj pa ndërprerje me redaksinë e Prishtinës (duke qenë në Tiranë) dhe kjo e çon koston e komunikimit në stratosferë. Kjo është e patolerueshme dhe për më tepër tendencioze e jopatriotike. E gjithë kjo vetëm për faj të prefiksit ndërkombëtar, që duket se është një ndër çështjet më të rëndësishme dhe më të abuzuara të ditëve që po jetojmë. Më lini t’ju jap një shembull. Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja kanë të njëjtin kod ndërkombëtar: 001. Vetëm ky fakt i bën telefonatat nga njëri vend në tjetrin të njëjta me ato brenda vendit. Pse është bërë kjo zgjedhje? Për të ulur në maksimum kostot e komunikimit mes dy vendeve, ekonomia e të cilëve është aq e integruar dhe e ndërthurur sa që nuk mund të shihet se ku fillon njëra e ku mbaron tjetra. Edhe PC World botohet në një version për të dy vendet. Kjo është një logjikë ekonomike dhe njerëzore. Pse të mos aplikojmë këtë sistem mes Shqipërisë dhe Kosovës? Kodi ndërkombëtar 00355 mund të na përfaqësojë që të dyja palëve dhe nuk do na duhet të marrim borxh prefikse nga Monako apo Serbia. Mund të bëhet? Bëhet, dhe brenda pak ditësh bile, po qe se është vullneti për ta bërë.

 

Ç’të mira do të kemi?

Do komunikojmë mes nesh me një kosto shumë herë më të ulët, që do të thotë lehtësi të mëdha në biznes dhe marrëdhënie personale. Vendosja nën një pre¬fiks të vetëm ndërkombëtar do të influenconte drejtpërdrejt dhe në uljen e kostos së internetit dhe telefonisë celulare. Me pak fjalë, ata që do të për¬ tonin dhe të ishin shqiptarët, por… Por do të humbnin kompanitë e telefonisë, si asaj -fikse dhe celulare. Dhe nuk bëhet fjalë për humbje të vogla!

 

Shtrohet pyetja pse nuk bëhet një gjë e tillë?

 Nuk ka si bëhet për shumë arsye, ku më e forta është fakti se telefonia nuk është më në duart e shqiptarëve dhe nuk mund t’ju kërkojmë të huajve të jenë patriotë për ne. Ashtu si po ndërtohet rruga Durrës-Kukës si një dhuratë 1 miliard dollarësh nga shqiptarët e Shqipërisë për vëllezërit e Kosovës, mund të ndajmë dhe një prefiks ndërkombëtar, që në fakt nuk na kushton asgjë. Një miku im nga Peja më thotë se nuk janë vetëm këto arsyet e pengesat. Nëse qeveria e Kosovës do ja kërkonte seriozisht ndarjen e prefiksit qeverisë së Shqipërisë, besoj se kjo e fundit nuk ka për të thënë jo! Duke parë përparësitë që do të sillte ky unifikim komunikimi mund të duket e çuditshme që nuk është bërë që më parë, por në të vërtetë nuk duhet të habitemi. Administrata ndërkombëtare në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të jetë pengesa kryesore për afrimin mes dy Shqipërive. Ka qenë një kohë që UMNIK-u nuk lejonte as futjen e librave dhe shtypit nga Shqipëria në Kosovë. Politika e çnacionalizimit e ndjekur në BE, që është bërë faktor bashkimi mes vendeve Evropiane, në rastin e shqiptarëve po bëhet faktor keqdashës ndarjeje. Pastaj ka një logjikë të thjeshtë. Gjirokastra është më larg se Prishtina nga Tirana; pse duhet të paguaj 5-fish për të folur me zyrën e Prishtinës dhe të kem mundësi të flas lirë me Gjirokastrën, kur të them të drejtën, nga ana e biznesit as që më bie rasti për ta parë e për t’i folur.

Qeveritë e dy Shqipërive janë shquar për patriotizmin e tyre, ndaj nuk do jetë keq që të takohen për një KAFE e të nënshkruajnë një marrëveshje që nuk do ketë gjykatë, qeveri apo shoqëri që ta kundërshtojë. Zotërinj! Dua të flas lirë me Italinë dhe Greqinë, sigurisht, por kur të flas me Shqipërinë, dua ta marr me nge e të çmallem, se kemi 100 vjet larg!

Lajmet e fundit>