Lajmet

Një fundjavë plot mundësi po vjen më 9-11 Dhjetor në edicionin e 7-të të Startup Weekend Tirana

Dec 3 2016
0 Shpërndarje
Një fundjavë plot mundësi po vjen më 9-11 Dhjetor në edicionin e 7-të të Startup Weekend Tirana

15327339_1123440241107038_6199955868416690629_nËshtë Dhjetor dhe ndërsa 2016-ta po përgatitet të japë lamtumirën, për Startup Weekend Tirana është krejtësisht e kundërta. Në datat 9-11 Dhjetor hap dyert edicioni i 7-të i këtij aktiviteti tashmë tradicional dhe ICTSmedia vijon ta mbështesë këtë aktivitet frymëzues që nga edicioni i tij i parë.

Edicioni i 7-të i Startup Weekend është i dyti për këtë vit. Aktiviteti i parë i mbajtur në datat 6-8 Maj tregoi një kreativitet dhe pasion unik nga pjesëmarrësit në garë ku përgjatë 54 orësh ata vunë përballë idetë e tyre.

“Në këtë edicion kemi shumë partneritete të reja duke përfshire të gjithë aktorët e ekosistemit të startupeve në Shqipëri dhe duke krijuar, mbase për herë të parë në historinë tonë, edicionin e mundësive për të gjithë,” u shpreh Ergest Nako, bashkëorganizator i aktivitetit për redaksinë e PCWorld.

Kjo përballje do të rikthehet të Premten e javës që vjen në një tjetër maratonë 54 orëshe grupe zhvilluesish, menaxherë biznesi, entuziastë startupesh, artistë grafike dhe shumë të apasionuar të tjerë do të përfitojnë eksperienca unike drejt materializimit të një idejë biznesi.

Lidhur me suprizat për pjesëmarrësit në garë bashkëorganizatorja Aneida Bajraktari u shpreh: “Si traditë do kemi çmime të ndryshme për fituesit, një mori mundësish për të vazhduar më tej idenë e tyre dhe pse jo të kemi histori suksesi që do mund të kalojnë dhe kufinjtë shqipëtarë. Por surprizat nuk do kufizohen vetëm për ata që do shpallen fitues por dhe për shumë prej ekipeve që do dinë të fitojnë besimin e partnerëve të ndryshëm.”

Qendra Protik do të jetë mikëpritëse e një fundjave bashkëpunimi për të mësuar, ndërtuar dhe për tu argëtuar në një prej edicioneve më të mira të Startup Weekend. Axhenda tre ditore do të vijojë si mëposhtë:

  1. Dita 1: Networking, Regjistrimi, Prezantimi i ideve, Votimi, Krijimi i ekipeve
  2. Dita 2: Pune, Mentorim, Argëtim
  3. Dita 3: Finalizimi i projektit, Mentorim, Prezantimet finale, Fituesit

Surprizë e këtij edicioni do të jetë pjesëmarrja e sipërmarrësit dhe ekspertit në fushën e investimeve në rolin e jurisë, Ishay Potruch, i cili do të vlerësojë projektet. Gerti Boshnjaku, Besmir Kthupi, Albana Veshi, Vasken Spiru dhe Artur Daci do të përbëjnë ekipin e mentorëve dhe trajnerëve të këtij edicioni.

Takimi fillon më 9 Dhjetor në ora 18:30 pranë Qendrës Protik kur përveç regjistrimit dhe prezantimit do të krijohen ekipet. Për tu regjistruar ju ftojmë të qaseni në uebsajtin e Startup Weekend. Gjithashtu për zhvillimet më të fundit mund të ndiqni evenimentin në rrjetin social Facebook.

“Ftoj të gjithë ata që kanë një ide, ata profesionistë që janë të lodhur nga puna ‘e sigurt’ që kanë dhe duan të eksplorojnë botën e startup-eve dhe inovacionin, një fundjavë elektrizuese, e mbushur me punë, argëtim, njohje të reja dhe mundësi vjen në 9-11 Dhjetor dhe ju siguroj të gjithë pjesëmarrësve që nuk do zhgënjehen,” është thirrja që ekipi organizator i drejton komunitetit.

Edicioni i 7 risillet nga Protik, qendra e parë dhe më e madhe e inovacionit në Shqipëri në bashkëpunim me ekipin e organizatoreve te Startup Weekend, Aneida Bajraktari, Ergest Nako dhe me mbështetjen e Vodafone Albania, Balkan Capital Financial Services, Yunus Social Business, SwissContact, Ofiçina, XYZ, AMA Caffe dhe EESTEC. PCWorld Albanian është partner mediatik i aktivitetit.

Startup Weekend është një rrjet global liderash dhe sipërmarrësisht me misionin për të inspiruar, edukuar dhe mbështetur individë, ekipe dhe komunitete plot ide. Është një destinacion unik ku mund të ndani, përmirësoni, zhvilloni dhe transformoni një ide në një startup. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>