Lajmet

Një maluer i çuditshëm realizon komunikimin nëpërmjet bokseve dhe mikrofonit të kompjuterit

Nov 4 2013
0 Shpërndarje
Një maluer i çuditshëm realizon komunikimin nëpërmjet bokseve dhe mikrofonit të kompjuterit

Në një raport të detajuar të Ars Technica (portal për publikimin e lajmeve teknologjike) hidhet dritë mbi ekzistencën e një softueri që fshihet në thellësi të bërthamës së sistemit operativ ose në sistemin BIOS (Basic Input/Output System) të kompjuterit, i cili është i aftë të komunikojë me kompjuterët që ka pranë duke përdorur mikrofonin ose bokset e sistemit.

Malueri i ashtuquajtur “badBIOS” është përhapur në kompjuterët e specialistit të njohur të sigurisë Dragos Ruiu për tre vite me radhë.

Ashtu si shumë softuerë të tilla të ngjashëm, badBIOS është programuar në mënyrë të tillë që përdoruesit të mos munden t’a eliminojnë atë, gjithashtu i bën kompjuterët të paaftë të ekzekutojnë sistemin nga një disk fizik.

Ruiu beson se badBIOS përfaqëson fazat e para të dukshme të një sulmi të fuqishëm që mund të dëmtojë Windows, OSX, Linux dhe sistemet BSD.

Ky softuer është i veçantë për shkak të aftësisë që ka për të komunikuar me kompjuterë të tjerë të infektuar edhe kur ata nuk janë të lidhur.

Me mungesë të lidhjes në këtë rast do të kuptojmë çaktivizimin e komunikimit pa kabëll (wireless) që përfshin Wi-Fi dhe Bluetooth, shkëputjen e lidhjeve fizike madje edhe heqjen e baterisë së jashtme duke e lënë një kompjuter të paaftë për t’u lidhur në rrjet dhe që funksionon vetëm me energjinë e siguruar nga bateria e brendshme.

Ruiu ndërmori gjithë këto masa për të ndaluar komunikimin, por edhe pas këtyre veprimeve kompjuteri vazhdonte të funksiononte sikur të ishte i lidhur me internetin.

Pavarësisht se është disi e vështirë për tu besuar konkluzioni i kërkimit të Ruiu është: “Kompjuterët e infektuar komunikojnë me njëri-tjetrin nëpërmjet valëve zanore të frekuencës së lartë të paperceptueshme nga veshi i njeriut duke përdorur bokset dhe mikrofonat e integruar në sistem.” (PCWorld Albanian)

hacker-stock

Tags >

malware
Lajmet e fundit>