Lajmet

Një numër i madh aplikacionesh kërcënojnë përdoruesit e Android

Jul 5 2012
0 Shpërndarje
Një numër i madh aplikacionesh kërcënojnë përdoruesit e Android

Ekspertët e kompanisë së sigurisë Trend Micro, paralajmërojnë se numri i aplikacioneve malinje që kërcënojnë përdoruesit e pajisjeve celulare është në rritje.

Numri i aplikacioneve mashtruese dhe të rrezikshme në pajisjet që operojnë me sistemin operativ Android të Google po rritet “hovshëm”, paralajmërojnë ekspertët e sigurisë në Trend Micro. Kjo kompani shton se në fillim të këtij viti kanë zbuluar më shumë se 5 mijë aplikacione malinje për Android, kurse gjatë muajit të kaluar numri i aplikacioneve të tilla ka arritur në 20 mijë sosh.

Parashikimet për tremujorët tjerë janë edhe më të mëdha, kështuqë raportet e Cnet tregojnë se gjatë tremujorit të tretë numri i aplikacioneve që përmbajnë viruse do të arrijë në 38 mijë, kurse në tre muajt e fundit të këtij viti numri i këtyre aplikacioneve mund të shkoj deri në 130 mijë kështuqë “ këtë dimër nuk do të brengosemi për grip por për malinjët pandemik për Android.”

Posaqërisht të rrezikshme janë aplikacionet malinje në dyqanin Google Play, prej të cilës miliona përdorues shkarkojnë aplikacione për pajisjet e tyre Android, kurse Google ende nuk ka gjetur ndonjë zgjidhje për këtë problem të madh.

Në Trend Micro thonë se deri tani rreth 700 mijë përdorues të Android kanë shkarkuar aplikacione të tilla para se Google t’i largonte ato nga dyqani i vet. Problem i madh për pronarët e celularëve që operojnë me Android është edhe mundësia e shkarkimeve të aplikacioneve nga faqe tjera (të pasigurta) interneti në të cilat hakerët mund të ngarkojnë aplikacione malinje që mund të përdoren për gjurmimin e përdoruesit përmes sistemit GPS, vjedhjen e të dhënave nga celulari ose mundësia që përmes tyre të bëjnë thirrje në numra tjerë telefoni me tarifa të shtrenjta që do t’jua zbrazte xhepat pronarëve të celularëve.

Rik Ferguson nga Trend Micro thotë se kjo rritje e aplikacioneve malinje tregon interesimin e kriminelëve ndaj platformave celulare, posaqërisht Android, duke pasur parasysh se sistemi operativ i Google momentalisht mbanë më shumë se 50% të tregut të celularëve, është e qartë pse pikërisht kjo platformë është më interesantja dhe më atraktivja për kriminelët dhe hakerët. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>