Biznes

Një rrjet kompjuterësh me platforma të ndryshme

Feb 27 2009
0 Shpërndarje
Një rrjet kompjuterësh me platforma të ndryshme

altMe rritjen e kompanisë shtohen punonjësit, kompjuterët dhe duhet një zyrë ku të vendosni gjithçka. Kjo sjell nevojën e krijimit të një rrjeti ku punonjësit të lidhen mes tyre dhe internetin. Në këtë moment fillimi, ndoshta punonjësit përdorin kompjuterë të ndryshëm: PC dhe Mac, me specialistët e grafikës që preferojnë OS X, zhvilluesit e aplikacioneve me Linux dhe pjesa tjetër me Windows.Për fat të mirë, të tre sistemet operative mund të bashkëjetojnë e komunikojnë edhe brenda një rrjeti të vetëm. Duke përdorur ca vegla të thjeshta dhe mjetet që ofrojnë sistemet operative vetë, mund të lidhni shpejt me botën këtë përzierje heterogjene kompjuterësh.

Lidhja e printerëve
Printerët që lidhen direkt në një rrjet ethernet janë një nga inovacionet më brilante në IT. Thjesht lidhni printerin me rrjetin dhe shpejt do të keni një pajisje që mund ta shfrytëzojë çdo kompjuter në rrjet.
Për të instaluar një printer rrjeti në Windows shkoni te Control Panel, hapni Printers and Faxes (thjesht printers në Vista), klikoni Add a printer dhe përdorni opsionin Network printer që do të shfaqet në dialogun vijues, për të shfletuar dhe gjetur një printer të lidhur në rrjet. Në XP, printerët mund të mos shfaqen nëse printeri i takon një grupi pune të ndryshëm nga ai i kompjuterit.
Në OS X 10.5, hapni System preferences, zgjidhni Print and Fax, klikoni ikonën e drynit për të lejuar ndryshimet dhe në fund klikoni shenjën “plus” (+) për të shtuar një printer. Nëse printeri i kërkuar nuk shfaqet në listën Default, mund ta gjeni të listuar nën kategorinë Windows, që lejon të përdorni çdo printer të instaluar në një Workgroop me Windows. Zgjidhni tani printerin që doni dhe klikoni Add.
Për të instaluar një printer në Ubuntu Linux zgjidhni System-Administration-Printing, klikoni New printer, selektoni printerin në listën që shfaqet më pas dhe klikoni Forward, për të zgjedhur drajverin e duhur për instalimin e pajisjes.

Ndarja e skedarëve
Ashtu si printerët, magazinimi mund të jetë më frytdhënës kur është i lidhur në rrjet. Në të shkuarën, ndarja e skedarëve kërkonte të dedikohej një kompjuter i gjithë për këtë punë. Tani, disqet NAS (Network attached strage), shpesh jo më të mëdha se sa një disk i jashtëm, i ofrojnë hapësirë gjithkujt që gjendet i lidhur në rrjet, nëpërmjet një sistemi të thjeshtë, protokollit SMB (Server Message Block).
Për t’u lidhur nga Windows në një SMB Share, në NAS Drive apo një kompjuter tjetër që ndan skedarët përmes SMB, hapni Network Places dhe shfletoni deri sa të gjeni hapësirat e Ndara në një Workgroup. Siç bën me printerin, Windows XP do të shfaqë vetëm Ndarjet që janë pjesë e Workgroup që i përket vetë kompjuteri. Në OS X, për të parë skedarët e ndarë në rrjet përmes SMB, shfletoni mes tyre në Finder. Do të mund të gjeni serverët e ndarë, listuar nën Shared, në ndarjen e majtë të dritares, ose thjesht zgjidhni Go-Network në meny. Nëse përdorni Ubuntu, zgjidhni Places-Network.
Njësoj si me printerët, jo gjithë storage duhet të jetë patjetër e lidhur në rrjet. Windows (XP dhe Vista), OS X dhe Linux, të tre lejojnë ndarjen e hapësirës direkt nga kompjuteri, si dhe mundësinë e shfletimit të ndarjeve edhe në sistemet e tjera operative. Për të ndarë skedarët në Windows si fillim aktivizoni File and printer sharing, siç e përshkruam më lart. Në XP, shkoni te dosja që doni të ndani, klikoni mbi të me të djathtin, zgjidhni Sharing and Security dhe selektoni Share this folder over network. Nëse doni që përdoruesit e tjerë të mund të redaktojnë, fshijnë apo krijojnë dokumente të rinj në këtë dosje, zgjidhni Allow network users to change my files. Klikoni OK për të përfunduar.
Me parakonfigurim, Vista i kërkon përdoruesit të japë një emër dhe  fjalëkalim para se të mund të ketë akses te Ndarjet. Nëse doni të ndani dokumente në rrjet pa krijuar llogari të tjera përdoruesish, vendosni Password protected sharing në OFF, në Network and Sharing Center, pare se të tentoni të ndani dokumente e dosje. Për të ndarë një dokument apo dosje në Vista, klikoni me të djathtën mbi të zgjedhurin, zgjidhni Share, selektoni Everyone (të gjithë) nga lista e përdoruesve dhe grupeve të shfaqura; klikoni Add dhe më pas OK.
Për të ndarë dokumente në OS X, hapni System Preferences, klikoni Sharing, selektoni File Sharing dhe zgjidhni Options. Më pas selektoni dosjen që doni të Ndani përmes SMB (dosjet publike janë të ndara me parakonfigurim). Zgjidhni Share Files and Folders usin SMB, fusni fjalëkalimin për çdo dosje të zgjedhur, kur kërkohet, dhe klikoni Done.
Në Ubuntu Linux, për të ndarë një dosje me gjithkënd, zgjidhni dosjen te File Browser, zgjidhni file-Properties, selektoni Share, zgjidhni Share this folder dhe Guest Access dhe klikoni mbi Create Share.
Pasi të keni ndjekur hapat e mësipërm, rrjeti i kompanisë do të jetë në funksion të plotë. Tani punonjësit mund të fokusohen për të përparuar biznesin në një nivel më të lartë.
 

Lajmet e fundit>