Lajmet

Njihuni me aplikacionin anti-social që ju ndihmon të shmangni miqtë që nuk pëlqeni

Mar 21 2014
0 Shpërndarje
Njihuni me aplikacionin anti-social që ju ndihmon të shmangni miqtë që nuk pëlqeni

antisocialCloak është një aplikacion i ri që konsiderohet si rrjeti anti-social. Në qoftë se aplikacionet e tjera të mediave sociale fokusohen në afrimin e miqve me njëri-tjetrin, Cloak përdor të dhënat e vendndodhjes për të ndihmuar përdoruesit të shmangin miqtë e tyre. Aplikacioni merr informacione mbi vendndodhjen nga rrjetet tuaja sociale dhe ju tregon se ku ndodhen miqtë tuaj në mënyrë që të shmangni ndonjë takim të papritur me njerëz që nuk dëshironi t’i shihni në një moment të caktuar.

Mjafton të lidhni Cloak me Foursquare apo Instagram dhe aplikacioni do të mundësojë një hartë ku do të shfaqë vendndodhjen tuaj dhe atë miqve tuaj që ndodhen më pranë. Në qoftë se gjeni ndonjë person në atë hartë që do të donit t’a shmangnit atëherë mjafton t’a përzgjidhni dhe aplikacioni do t’ju lajmërojë sapo ky person të afrohet akoma më tepër në drejtimin tuaj.

Aktualisht aplikacioni mund të aksesojë të dhënat e vendndodhjes vetëm nga Foursquare dhe Instagram, megjithatë zhvilluesit e tij po punojnë për lidhjen e Cloak me akoma më tepër shërbime në të ardhmen. Ky aplikacion është produkt i programuesit Brian Moore dhe Chris Baker, ish drejtorit krijues të Buzzfeed, i cili në një e-mail ndaj The Washington Post është shprehur: “Mendoj se tashmë e kemi parë kulmin e rrjeteve të mëdha sociale…Mendoj se shërbimet anti-sociale do të kenë sukses në vazhdim. Me siguri projekte të tilla do të shtohen gjithnjë edhe më tepër.” (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>