Lajmet

Njihuni me disa prej përditësimeve të ardhshme të Skype

Nov 27 2013
0 Shpërndarje
Njihuni me disa prej përditësimeve të ardhshme të Skype

skypeeeSkype është një prej aplikacioneve më popullorë të komunikimit, por kjo nuk do të thotë se ky shërbim i zotëruar nga Microsoft-i është perfekt.

Shumë përdorues janë ankuar së fundmi në lidhje me sinkronizimin e vonuar të mesazheve, gjë që ka ndikuar negativisht në komunikim. Sigurisht, në qoftë se Skype dëshiron të ruajë reputacionin aktual duhet të përpiqet të eliminojë sa më shpejt këtë problem.

Përdoruesit nuk duhet të shqetësohen shumë pasi gjatë një interviste të realizuar me Jeff Kunins, Menaxhere Produkti e aplikacionit Skype, është zbuluar se Microsoft është duke punuar për përditësimin e tij dhe së shpejti do të mundësohet sinkronizimi i mesazheve tek të gjitha pajisjet.

Kjo do të thotë se sapo të lançohet përditësimi, kur të merrni një mesazh në Skype do të keni mundësi t’a lexoni atë menjëherë pavarësisht pajisjes që po përdorni. Mesazhi do të shfaqet në të njëjtën kohë edhe tek pajisjet e tjera që janë të loguara në Skype.

Përveç sinkronizimit, për versionin e ri të Skype po zhvillohet edhe një përditësim tjetër që ka për qëllim përmirësimin e reagimit të aplikacionit kur përdoruesi i përgjigjet një telefonate. Aktualisht, në qoftë se keni hapur llogarinë tuaj të Skype-it në dy pajisje të ndryshme dhe përgjigjeni tek njëra prej tyre, zilja do të vazhdojë të bjerë tek pajisja tjetër.

Kompania po punon edhe për zgjidhjen e këtij problemi. Kjo do të thotë në qoftë se përdoruesi përgjigjet ndaj një telefonate ose e refuzon atë tek njëra pajisje, zilja nuk do të vazhdojë të bjerë tek pajisja tjetër.

Nuk dihet ende data e saktë e lançimit të këtij përditësimi, por Kunins ka deklaruar se përmirësimi i sinkronizimit do të jetë “shumë shpejt” i disponueshëm. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>