Lajmet

Njihuni me disa prej simptomave të viruseve kompjuterike

Jun 28 2013
0 Shpërndarje
Njihuni me disa prej simptomave të viruseve kompjuterike

Të gjithë e dimë se viruset si në botën reale po ashtu edhe atë virtuale janë të dëmshme për organizmin e njeriut ose atë kompjuterik. Ato shoqërohen me vështirësinë për t’u identifikuar apo për t’i larguar përgjithmonë nga sistemi. Me anë të guidës së mëposhtme ne synojmë të paraqesim disa prej simptomave kryesore të viruseve dhe disa rekomandime për parandalimin e tyre.

Reklamat Pop-up

Të gjithëve na ka ndodhur që gjatë navigimit në internet të na shfaqet një dritare e shndritshme ku shkruhet me shkronja të mëdha: KLIKONI KËTU PËR TË FITUAR ÇMIMIN TUAJ! Fatmirësisht këto reklama po shmangen gjithnjë e më tepër duke qenë se shfletuesit modernë kanë të integruar bllokues të këtyre reklamave. Ato mund të shfaqen vetëm në rast se shfletuesi juaj nuk është përditësuar.

Në qoftë se këto lloj reklamash shfaqen në kompjuterin tuaj edhe pasi keni mbyllur shfletuesin dhe nuk jeni duke naviguar në internet atëherë me siguri keni të bëni me një virus. Asnjëherë nuk duhet të klikoni në të pasi nuk do të bëni gjë tjetër përveç se do të shtoni disa maluere në kompjuter. Për të larguar këtë lloj virusi infektues është mirë që të përdorni softuerët antimaluer si Spybot & Destroy(pa pagesë) ose Malwarebytes Virus removal (25$).

Kompromentimi i llogarive

Viruset kanë aftësi të përhapen dhe të infektojnë sa më shumë kompjuterë që të jetë e mundur dhe një prej mënyrave që ato përdorin është kompromentimi i llogarive e-mail. Është mirë që të kontrolloni shpesh mesazhet që dërgoni dhe të merrni masat në qoftë se vini re se është dërguar ndonjë mesazh pa dijeninë tuaj. Gjithashtu është e këshillueshme që të ndërroni fjalëkalimin herë pas here.

Paralajmërimet Lockdown

Në disa raste ndodh që papritur të shfaqet në ekranin e kompjuterit tuaj një mesazh ku informon përdoruesin se kompjuteri është bllokuar për shkak të veprimeve ilegale të kryera me të dhe sigurisht për t’a kthyer atë në gjendjen e mëparshme duhet të paguhet një shumë e caktuar parash. Mos u shqetësoni, në të vërtetë asgjë nuk është ilegale, por kompjuteri juaj është infektuar me ransomware. Në raste të tilla do duhet të skanoni kompjuterin me AVG ose Kaspersky.

Sistemi nuk funksionon ose ngadalësohet

Në qoftë se sistemi nuk funksionon ashtu si duhet ose ngadalësohet atëherë me siguri është infektuar me ndonjë maluer të caktuar. Kjo vlen vetëm për rastet kur sistemi ka probleme papritur, pasi në qoftë se lind gradualisht atëherë me siguri nuk janë kryer veprimet e nevojshme të mirëmbajtjes. Në raste të tilla do të ishte mirë që të aksesonit Task Manager dhe të kontrolloni se çfarë është duke u ekzekutuar në ato momente.

Gjithçka është në rregull

Pavarësisht se mund të duket sikur sistemi funksionon për mrekulli kjo nuk do të thotë se nuk ekzistojnë shanset që kompjuteri juaj të jetë infektuar. Në fakt sa më i sofistikuar të jetë një virus i caktuar aq më pak ekzistojnë shanset që t’a identifikoni atë. Prandaj është gjithnjë e këshillueshme që të kryeni kontrolle të vazhdueshme për të parandaluar dëme të mëdha. (PCWorld Albanian)

Virus

Tags >

pcviruset
Lajmet e fundit>