Lajmet

Njihuni me dy përditësimet më të fundit të Twitter-it

Mar 28 2014
0 Shpërndarje
Njihuni me dy përditësimet më të fundit të Twitter-it

twitter smartphoneTwitter ka vendosur të lançojë dy opsione të reja që do të shndërrojnë publikimin e fotove në një eksperiencë më sociale. Opsioni i parë është “etiketimi i fotove” që ashtu si e tregon edhe vetë emri, lejon përdoruesit e Twitter-it të etiketojnë njerëzit në fotot e tyre. Maksimumi i njerëzve që mund të etiketohen është 10.

Përdoruesit do të venë re shtimin e këtij opsioni sapo të ngarkojnë një foto pasi menjëherë do të shfaqet butoni “Kush është në këtë foto?”. Përdoruesit mund t’i kontrollojnë vetë opsionet e privatësisë lidhur me këto etiketime duke u drejtuar tek menuja e konfigurimeve. Ju mund të lejoni të etiketoheni nga kushdo, askush ose vetëm nga personat që ju ndiqni.

Opsioni i dytë që është shtuar lejon përdoruesit të publikojnë deri në 4 foto vetëm në një cicërimë të vetme. Për të parë këto foto mjafton të klikoni vetëm tek njëra dhe më pas mund t’i kaloni të gjitha me radhë. Twitter ka deklaruar se ky opsion do të lançohet fillimisht për iPhone-ët, ndersa në vazhdim do të jetë i disponueshëm për versionin në ueb dhe atë të Android.

Ka shumë mundësi që këto dy opsione të reja të ndihmojnë platformën e mikroblogjeve me “zbulimin”, një prej problemeve që ka shqetësuar së tepërmi kompaninë. Twitter do të duket tashmë akoma më i ngjashëm me rivalët e tjerë si Facebook apo Instagram. Për të aktivizuar këtë opsion është e nevojshme që përdoruesit të instalojnë versionin e fundit të aplikacionit Twitter. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>