Lajmet

Njihuni me projektet e prezantuara në Hackathon Albania 2013

Dec 9 2013
0 Shpërndarje
Njihuni me projektet e prezantuara në Hackathon Albania 2013

hack-dataAshtu si kemi njoftuar edhe para pak ditësh, Open Data Albania (ais.al) ka punuar për organizimin e Hackathon Albania 2013 me temë: “IT në shërbim të Shoqërisë Civile”.

Në këtë event kanë marrë pjesë aktivistë dhe studentë të ndryshëm të cilët do të bashkëpunojnë për realizimin e aplikacioneve dhe vizualizimin e të dhënave me qëllim nxitjen e adoptimit të politikave për të dhëna transparente nga qeveria dhe institucionet lokale.

Aktiviteti është organizuar ditën e shtunë, më 7 dhjetor pranë Tirana Express dhe në të është punuar për projektet e mëposhtme me të cilat po ju njohim shkurtimisht.

Për informacione më të detajuara rreth tyre mund të drejtoheni në këtë link: http://datathon.data.al/index.php?title=Faqja_kryesore#Projektet

Aplikacioni Cigarette Light është një lojë që ka për qëllim të sensibilizojë të gjithë duhanpirësit dhe u tregon atyre se si shkatërrohen qelizat e kuqe dhe te bardha. Aktualisht loja është në version alfa dhe mund të shkarkohet në këtë link: http://www.anothergames.com/reviews/games?title=cgl&id=15

My City My Home është një platforme që ka për qëllim denoncimin e problemeve mjedisore dhe urbanistike nëpërmjet rrjeteve sociale. Në bazë të këtyre denoncimeve do të krijohet një hartë interaktive e qytetit përkatës që do të përbëhet nga postimet e njerëzve të ndryshëm.

Uebfaqja https://l10n.org.al ka për qëllim përkthimin e programeve në shqip dhe përmirësimin e përkthimeve ekzistuese. Kjo faqe bazohet në kontributet vullnetare të njerëzve të interesuar.

Uebfaqja 100 pyetje do të jetë një faqe dinamike në shërbim të të gjithë qytetarëve, ku njerëz të ndryshëm do të shkëmbejnë informacione apo përvojat e tyre individuale me persona të tjerë që janë ndodhur në të njëjtat situata duke sugjeruar zgjidhje sa më të thjeshta.

Visualizimi i Përdorimit të Open Source Software për Administratën Publike ka për qëllim të monitorojë të gjitha aplikimet open source në territorin e Shqipërisë ku filtrimi i informacionit do të bëhet në bazë të shtrirjes gjeografike . Ky projekt ka si synim kryesor mobilizimin e administratës publike për implementimin e zgjidhjeve open source në infrastrukturën e tyre.

Vizualizimi i të dhënave në hartë – Prezantimi i referohet disa projekteve të kryera nga zyra e UNICEF-it në Shqipëri. Projektet kanë pasur për qëllim gjetjen dhe shfaqjen e pikave me koordinata përsa i përket shërbimeve të ndryshme. Gjatë prezantimit tregohen dhe mjetet me të cilat janë realizuar këto projekte për të ndarë informacionin dhe frymëzuar pjesëmarrësit për mundësitë e gjera që ekzistojnë nga përdorimi i tyre.

Vizualizimi i të dhënave nga Policia e Shtetit është një projekt që ka si synim paraqitjen më të kuptueshme të disa të dhënave të rëndësishme të publikuara nga Policia e Shtetit ku përfshihen: telefonatat dhe denoncimet e kryera nga individët tek komisariatet e ndryshme, shifrat e aksidenteve dhe gjobat e vendosura gjatë periudhës 17 shtator-17 tetor.

Smart Dental Manager do të jetë një sistem profesional për kompjuterët personalë i cili do të shërbejë për regjistrimin e të dhënave të çdo pacienti, rezervimin e orareve, ruajtjen e kartelave elektronike. Programi do të jetë shumë i thjeshtë për t’u përdorur nga të gjithë dhe do të mundësojë aksesimin në kohë rekord të informacioneve.

Tirana pa Tela është një projekt i thjeshtë që synon të vizualizojë në kohë reale pikat me wireless falas në Tiranë. Këto pika mund të përditësohen vazhdimisht nga përdorues vullnetarë. Harta do të integrohet edhe me një aplikacion mobil dhe do të jetë e mundur që vendndodhjet e përditësuara të shkarkohen vazhdimisht në mënyrë që përdoruesi t’i shohë ato edhe kur të jetë offline.

Raportimi i dhunës do të jetë një aplikacion mobil ku me klikimin e një butoni mund të raportohet çdo rast dhune që haset përreth. Ky lloj butoni, integrohet me vendndodhjen (GPS), dhe mendohet të ketë lidhje direkte me Policinë që ata të kenë mundësi të veprojnë. Raportimi do të lidhet me komisariatin më të afërt.

Aplikacioni Transparenca 2.0

Tatime mbi te Ardhurat Personale në vite – Analizë ekonomike mbi Tatimin e të Ardhurave Personale (TAP) për periudhën 2005 – 2014. Rezultatet do të vizualizohen grafikisht me anë të Google Chart Tools. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>