Harduer

Njihuni me syzet Oculus Rift të realitet virtual

Mar 4 2014
0 Shpërndarje
Njihuni me syzet Oculus Rift të realitet virtual

OculusRift1Oculus Rift është një set i një lloji syzesh të realitetit virtual që punojnë me kompjuterin apo pajisjen mobile të përdoruesit. Oculus Rift u shpikën nga një i pasionuar pas realitetit virtual, Palmer Luckey. Pasi shfaqi një prototip në konventën e lojërave E3 në vitin 2012, ai tërhoqi interesin e mediave dhe themeloi kompaninë bashkë me Brendan Iribe, që u bë shef ekzekutiv. Ata e lançuan projektin si Kickstarter në gusht të vitit 2012 për të shitur modelet e versioneve të prototipeve të zhvilluesve në mënyrë që studiot të mund të fillonin të bënin lojëra. Kështu ata arritën të mbledhin rreth 2.4 milion dollarë. Më tej, Oculur VR (emri i kompanisë) arriti të mbledhë më shumë buxhet për zhvillimin e pajisjes duke shitur Oculus Rift për zhvilluesit, ndërkohë që ishte duke punuar për perfeksionimin e një modeli për konsumatorët.

Mënyra se si funksionon Oculus Rift është interesante. Imagjinoni një set syzesh për ski ku secila anë është me një madhësi prej 7 inç. Secili prej këtyre ekraneve 7 in135 shfaq imazhin, pra, shfaqen dy imazhe, një për secilin sy. Një set lentesh është e vendosur në krye të ekranit duke fokusuar dhe duke i dhënë formë imazhit për secilin sy. Në këtë mënyrë krijohet njëfarë imazhi 3D stereoskopik. Syzet kanë sensorë që kuptojnë se nga jeni duke e kthyer kokës dhe rregullojnë saktë ndryshimin e imazhit. Rezultati është ndjesia sikur jeni duke e parë botën në 3D, ashtu si në realitet.

Versioni për zhvilluesit ka dy ekrane me madhësi 7 inç me rezolucion 1280 x 800 pixel secili e bashkë japin një pamje prej 110 gradësh në lojë. Pajisja vjen me tre lloje lentesh në largësi të ndryshme në varësi të shikimit të përdoruesit, për të fokusuar më mirë imazhin 3D. Kjo është për të ndihmuar ata që kanë syze dhe në mënyrë që shikimi të jetë sa më i mirë edhe gjatë përdorimit të pajisjes.

Pjesa e virtuales, realiteti i shtuar (termi në anglisht është “Augmented Reality”) përfshin grafika që zëvendësojnë pamjen e një bote reale, si kamera e një telefoni ose si ekrani në Google Glass. Për shkak se Oculus Rift lejon të shohësh vetëm një botë 3D e jo botën reale, pajisja nuk mund të ketë realitet të shtuar. Gjithsesi, një pjesë e zhvilluesve të parë janë të mendimit që Oculus VR mund të shtojë kamera në syze që të lejojë përdoruesit të shohin botën reale, ndërkohë që nuk janë në lojë. Por duke parë kompleksitetin e diçkaje të tillë, me shumë mundësi nuk do të jetë në versionin për konsumatorët.

Në CES 2014 (Consumer Electronic Show), Oculus VR prezantoi prototipin më të fundit të Oculus Rift i quajtur Crystal Cove. Të rejat e Crystal Cove fillojnë me nj ekran të ri OLED me rezolucion 1080 pixel. Tani pajisja mund të ndjekë lëvizjen e kokës në gjashtë drejtime të ndryshme nga tre që ka pasur më parë. Koha e vonesës tani është përgjysmuar duke shkuar në 30 milisekonda. Kjo krijon një eksperiencë më të veçantë për përdoruesin që e lejon ta ndjejë më reale lojën.

Një numër personash kanë raportuar probleme shëndetësore nga Oculus Rift. Përgjigja për këtë është që problemi qëndron tek trupi i përdoruesit, gjë që është normale. Sytë dhe truri “mashtrohen” duke marrë efektin që trupi po lëviz, ndërkohë që përdoruesi është në vend. Gjithashtu, pjesa më e madhe e atyre që kanë përjetuar probleme janë përdorues të momentit në panaire ose konferenca dhe kjo vjen për shkak se ekrani duhet të kostuizohet sipas preferencave të secilit përdorues. Për shkak se ekranet janë shumë pranë me sytë dhe momentalisht rezolucioni nuk është në nivel të lartë, kjo jep pamjen e pixelave individualë në formën e një rrjete katrorësh në ekran. Ky problem i vogël pritet të rregullohet në modelet e konsumatorëve.

Një set i Oculus Rift mund të porositet online nga faqja e internetit e Oculus VR. Ndërkohë që edhe për në SHBA duheshin disa muaj sa të arrinte pajisja për shkak të numrit të kufizuar, tani shpejtësia e shërbimit është rritur duke u dërguar vetëm në disa ditë. Versioni për zhvilluesit vjen me një çmim prej 300 dollarë. Oculus VR ka deklaruar se edhe versioni për konsumatorët do të jetë i përballueshëm në çmim, por pa dhënë asnjë detaj se sa mund të kushtojë. Analistët mendojnë se nuk do të jetë më e shtrenjtë se 499 dollarë edhe pse është e vështirë të përcaktohet çmimi kur nuk ka as data fikse se kur mund të jetë e disponueshme. Vitin e kaluar, Oculus VR tha se mesi i vitit 2014 mund të ishte data e shumëpritur, por duke parë detajet për të cilat Oculus VR po kujdeset, me shumë mundësi pajisja do të shtyhet për në fund të vitit. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>