Lajmet

Nokia do të lançojë së shpejti një aplikacion me efekt special për fotot në modelet Lumia

Nov 13 2013
0 Shpërndarje
Nokia do të lançojë së shpejti një aplikacion me efekt special për fotot në modelet Lumia

Nokia ka njoftuar se së shpejti do të pajisë smartfonët Lumia me një aplikacion të ri të quajtur Refocus i cili është më i fundit i linjës së aplikacioneve specialë që shtojnë më tepër funksionalitete ndaj kamerave të mrekullueshme të integruara në harduerin e Windows Phone.

Këtë herë bëhet fjalë për një cilësi që haset shumë rrallë pasi Refocus do të lejojë përdoruesin të manovrojë pikën fokale (pjesa kryesore e fokusuar ku duhet të përqëndrohet vëmendja) edhe pas regjistrimit të fotos.

Fansat e fotografisë mund të jenë tashmë në dijeni të kësaj teknologjie e cila është e implementuar në kamerat Lytro, ndërsa të fiksuarit pas smartfonëve mund të njohin lentet e prodhuara DigitalOptics që kryejnë të njejtin funksion.

Në rastin e aplikacionit të Nokia-s funksionaliteti do të realizohet vetëm nga softueri dhe funksionon duke regjistruar imazhe të ndryshme sapo te shtypet butoni i shkrepjes.

Sapo të jetë regjistruar fotoja, përdoruesi mund të fokusojë pjesë të caktuara të fotos thjesht duke klikuar mbi të. Ky efekt shkakton një përmirësim drastik të fotos duke qenë se do të vihen në qendër të vëmendjes ato elemente të imazhit të cilat nuk janë të dukshme në momentin e parë të shkrepjes së fotos.

Ky funksion nuk është avantazhi i vetëm i Refocus pasi në fotot e shkrepura shumë afër një objekti (Macro shots) do të jetë e mundur që të theksohet sfondi i tyre ose pjesa qëndrore të mbahet me ngjyra ndërsa sfondi të jetë bardh e zi.

Ky lajm është publikuar në blogun Conversations të Nokia-s ku demonstrohen konkretisht disa foto të regjistruara me Refocus. Mbi to ndodhet edhe opsioni i ndryshimit të fokusit, mund t’a provoni që të krijoni një ide më të qartë se për çfarë bëhet fjalë.

Po në këtë mënyrë do të publikohen këto lloj fotosh në Facebook në mënyrë që edhe miqtë tuaj të kenë mundësi të provojnë foton duke fokusuar elemente të ndryshëm.

Refocus do të jetë i disponueshëm pa pagesë në javët e ardhshme në Windows Phone Store. Aplikacioni është i vlefshëm për këto modele: Lumia 920, 925, 928, 1020 dhe 1520. Shpresojmë që aplikacioni të përfshihet së shpejti edhe në Nokia Lumia 929. Është disi e habitshme pse Lumia 1320 nuk përfshihet në këtë listë. (PCWorld Albanain)

nokia-lumia-925-back-camera-side-970x0

Lajmet e fundit>