Harduer

Nokia flet zyrtarisht mbi smartfonin Lumia 928

May 8 2013
0 Shpërndarje
Nokia flet zyrtarisht mbi smartfonin Lumia 928

Nokia ka konfirmuar zyrtarisht të përfolurin prej tashmë disa muajsh Lumia 928. Versioni i ri në modelet Lumia do të vijë në formën e përditësimit të Lumia 920 dhe pritet të lançohet fillimisht në SHBA përmes operatorit telefonik Verizon Wireless.

Në uebfaqe shfaqen edhe imazhet e para zyrtare nga smartfoni, të cilat tregojnë më së miri aftësinë e kamerës së tij në ambiente me ndriçim të ulët. Në faqe shkruhet gjithashtu “kapni momentet më të bukura” dhe “na ndiqni për të rejat e fundit nga Nokia Lumia i ri.”

Kamera është një nga karakteristikat ku Nokia është përqendruar më tepër në smartfonët e vet. Disa javë më parë, CEO i kompanisë Stephen Elop, u shpreh se Nokia do të vazhdojë të fokusohet tek avancimi i artit të kapjes së imazheve.

Lumia 928 raportohet se do të jetë më i hollë dhe më i lehtë se Lumia 920. Bazuar në të dhënat financiare të muajve të fundit, kompania ka dërguar për shitje 5.6 milionë Lumia gjatë tremujorit të parë të vitit 2013, por vetëm 400 000 prej tyre i përkisnin tregut amerikan.

Për të përmirësuar rezultatet financiare, portofoli i Nokia-s ka nevojë për t’u zgjeruar me modele të reja, veçanërisht me pajisje të nivelit të lartë.

Pritet që në eventin e javës tjetër (14 maj) në Londër të lançohen të rejat e fundit për modelet e ardhshme Lumia. Ende nuk dihet nëse Lumia 928 do të lançohet në këtë event, nëse do të lançohet vetëm për disa tregje të caktuara apo në të gjithë botën, apo nëse Nokia ka ndonjë surprizë tjetër për konsumatorët. (PCWorld Albanian)

lumia 928

Tags >

Lumia
Lajmet e fundit>