Harduer

Nokia planifikon prodhimin e pajisjes “Lumia phablet”

Apr 20 2013
0 Shpërndarje
Nokia planifikon prodhimin e pajisjes “Lumia phablet”

Këtë vit Nokia mund të kalojë në tregun e “phablet-ve”. Një burim që “është në dijeni të planeve të kompanisë” ka thënë për Financial Times se kompania ka ndërmend të prodhojë disa pajisje të reja këtë vit.

Pajisja “më inovative” do të jetë phablet-i ose hibridi telefon/tablet, i ngjashëm me Samsung Galaxy Note. Nokia pritet gjithashtu që të prezantojë disa smartfonë të tjerë duke qenë se Lumia e ka të vështirë të sigurojë një pjesë më të madhe të tregut.

Një prej këtyre pajisjeve pritet të jetë smartfoni Lumia që suporton teknologjinë PureView. Ai do të ketë një kamera me rezolucion 40 megapiksel dhe blic. Smartfoni pritet të lançohet në muajin korrik të këtij viti.

Përveç këtij Nokia do të hedhë në treg një version të përmirësuar më të lehtë të Lumia 920, çmimi i të cilit pritet të ulet në periudhën e vjeshtës.

Tremujorin e parë të këtij viti Nokia ka shitur rreth 5.6 milion Lumia që do të thotë një rritje prej 25% krahasuar me 4.4 milion Lumia të shitur tremujorin e katërt të vitit të kaluar, megjithatë kjo nuk është një rritje e konsiderueshme krahasuar me shitjet që bëjnë rivalët e tjerë të smartfonëve.

Sipas Reuters, Apple ka shitur rreth 37 milion smartfonë tremujorin e kaluar, ndërsa Samsung do të dominojë tregun me 61 milion shitje të projektuara.

Nokia pret që shitjet e Lumia-s të rriten me 27% këtë tremujor, megjithatë edhe nëse prodhon smartfonë të tjerë apo pajisjen e re “phablet” përsëri Nokia do ta ketë të vështirë të pozicionohet në një pjesë më të madhe të tregut të dominuar nga Apple dhe Samsung. (PCWorld Albanian)

Nokia Lumia 520

Lajmet e fundit>