Harduer

Nokia zbulon Lumia 1020, smartfonin me kamer 41-Megapixel

Jul 12 2013
0 Shpërndarje
Nokia zbulon Lumia 1020, smartfonin me kamer 41-Megapixel

Nokia ka zbuluar zyrtarisht shumë të përfolurin Lumia 1020, një smartfon me Windows Phone i cili ka një kamer 41-Megapixel.

Shitjet me kontratë në SHBA do të fillojnë nga data 26 korrik, ndërsa për pjesën tjetër të botës smartfoni do të jetë i disponueshëm brenda këtij tremujori.

CEO i kompanisë, Stephen Elop, i cili bëri edhe prezantimin e pajisjes në Nju Jork gjatë ditës së enjte, iu referua asaj si pajisja më e mirë që ka për momentin Nokia. Kamera e telefonit është e aftë të bëjë foto në rezolucion 41MP në një aspect ratio prej 3:2 ose 16:9. Në të njëjtën kohë, ajo krijon edhe një version 5MP të imazhit, i cili mund të përdoret për t’u shpërndarë.

Kamera ka gjithashtu edhe një stabilizator optik për imazhet, ashtu si Lumia 920. Kjo bën që gjithë mekanizmi i kapjes së fotos të mbetet stabël – dhe jo vetëm lentet – për të kompensuar dridhjen e kamerës. Blici Xenon, i cili është më i avancuar se një LED i zakonshëm, bën të mundur që kamera të kapë foto më të qarta gjatë natës, duke pasqyruar më saktë ngjyrat.

Motoja e telefonit është “Zoom. Reinvented” (Zmadhimi. I rizbuluar). Gjithsesi, Lumia 1020 nuk ka zmadhim optik. Sensori 41MP lejon zmadhim dixhital duke ruajtur qartësinë e fotos. Kamera e telefonit mund të regjistrojë video në HD, ndërkohë që një rëndësi të veçantë i është kushtuar edhe zërit, i cili regjistrohet më i pastër duke minimizuar zhurmat në sfond.

Aplikacioni Nokia Pro Camera u jep mundësi përdoruesve të mësojnë si të përdorin veçori të avancuara të kamerës. Kështu, ata kanë mundësi të ndryshojnë opsione si ekspozimi, shpejtësia e kapjes së fotos, apertura dhe ISO.

Elop u shpreh se Nokia do të lançojë një “delopment kit” për zhvilluesit, në mënyrë që ata të shohin më konkretisht avantazhet e kamerës. Ai shtoi se kompania ka krijuar tashmë partneritete me CNN, Yelp, Foursquare, Path etj. Për shembull, aplikacioni CNN iReporter do t’u mundësojë përdoruesve të përdorin kamerën 41MP në raportimet e tyre.

Përveç kamerës, telefoni ka edhe një version të përmirësuar të Nokia Here Maps. Smartfoni mund të shoqërohet edhe me aksesorë si karikimi pa tel (wireless). (PCWorld Albanian)

lumia 1020

Tags >

Lumia
Lajmet e fundit>