Siguri

Nokia hedh poshtë mundësinë për lëshime sigurie në modelin e vjetër 1100

Aug 4 2010
0 Shpërndarje
Nokia hedh poshtë mundësinë për lëshime sigurie në modelin e vjetër 1100

Hetimi i PCWorld Albanian gjeti se për këtë celularë Nokia 1100 (RH-16 ose RH-17 – modele të prodhuara vetëm në Bochum të Gjermanisë), në Kosovë ofrohen deri në 5.000 euro, e ka pasur raste kur janë ofruar edhe më shumë.  Në një artikull të publikuar në ueb faqen tonë pati më shumë se 70 komentues që në një far forme konfirmonin çmimin apo bënin oferta për këtë celularë. 

Por ajo që vlen të theksohet është se  blerësit nga Kosova duket se po blejnë këtë celularë për ta shitur jashtë vendit për një çmim edhe më të madh. Nëpër forume të ndryshme të botës ku diskutohet për këtë model ka oferta që kapin shifra marramendëse, madje mbi 25.000 euro e edhe në faqe si eBay mund të gjesh në shitje kësi lloj modelesh të vjetra me një çmim po kaq të çmendur.

Një hakerë nga Kosova me pseudonimin boom3rang pati deklaruar për ne se ky lloj celulari ka një lëshim në softuer që nuk i ofron mundësinë askujt të bëjë vëzhgimin apo përcjelljen e tij. “Si rrjedhojë e kësaj këto modele duket se po shfrytëzohen në mas të madhe nga grupet kriminale apo nga rrjete të ndryshme terroriste, që janë të gatshme të paguajnë madje edhe 25.000 deri në 30.000 dollarë” u shpreh ai.

Në anën tjetër pas një presioni të vazhdueshëm të PCWorld Albanian për të marr një deklaratë zyrtare nga Nokia në lidhje me këtë model, përmes zëdhënëses për media Barbara Furchtegott, u tha se siguria e produkteve është një element shumë i rëndësishëm për Nokia-në dhe të gjitha akuzat drejtuar produkteve të saja trajtohen me seriozitet të lartë.

PCWorld Albanian shtroi pyetjen nëse Nokia është në dijeni në lidhje me shitjet me çmime marramendëse të këtij modeli, për të cilin besohet se ofrohen deri në 5.000 euro në Kosovë e më shumë se 25.000 euro jashtë vendit.  “Ne jemi duke hetuar këto akuza që kanë të bëjnë me modele më të vjetra të prodhuara nga kompania jonë” deklaroi ajo.

“Siç kemi deklaruar edhe më parë, ne nuk jemi në dijeni për një lëshim sigurie në modelin Nokia 1100 që do t’i mundësonte telefonuesit “ID Spoofing” (ID të rreme)” u shpreh ajo në pyetjen tonë lidhje me thashethemet që po qarkullojnë se ky celularë po kërkohet për shkak se mundëson që thirrjet të mos vëzhgohen.

“Bazuar në hetimet tona, keqpërdorimi duket se kërkon disa kushte paraprake për t’u plotësuar, duke përfshirë një SIM kartelë të gjeneratës më të vjetër, pra pastaj një celularë më të vjetër dhe një numër të komponentëve të modifikuara harduerike dhe softuerike” deklaroi për PCWorld Albanian Barbara Furchtegott, zëdhënëse për media pranë kompanisë Nokia.

“Ne nuk jemi në dijeni për ndonjë incident të raportuar. Gjersa është e pamundur të parandalohen aktivitetet kriminale, ne nuk besojmë se ka nevojë për tu shqetësuar. Si gjithmonë, ne inkurajojmë njerëzit që të trajtojnë pajisjet e tyre mobile si një send me vlerë për ta dhe të kenë kujdes të shtuar me të dhëna të ndjeshme, siç janë detajet bankare dhe fjalëkalimet” u shpreh ajo.

Lajmet e fundit>