Lajmet

Norvegjia i jep 1.2 milionë € ndihmë Shqipërisë për projektin e të dhënave gjeohapësinore

Dec 19 2013
0 Shpërndarje
Norvegjia i jep 1.2 milionë € ndihmë Shqipërisë për projektin e të dhënave gjeohapësinore

Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike e Shqipërisë, Milena Harito, ka nënshkruar ditën e martë një marrëveshje me qeverinë norvegjeze, e cila do t’i japë Shqipërisë 1.2 milionë € ndihmë për krijimin e infrastrukturës kombëtare të të dhënave gjeohapësinorë (National Spatial Data Infrastrukture, NSDI-së).

Kjo marrëveshje do të ndihmojë në arritjen e standardeve të domosdoshme për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Marrëveshja do të mundësojë ngritjen e një autoriteti të posaçëm, i cili do të quhet Autoriteti Shqiptar i Infrastrukturës Gjeohapësinore. Detyra e këtij autoriteti do të jetë implementimi i direktivës Inspire, ndërtimi i Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH-2010) si referencë e standardeve europiane për “GIS-in Kombëtar” si dhe ndërtimi i “Gjeoportalit Kombëtar”, përmes së cilit do aksesohen të dhënat gjeohapësinore si dhe shërbimet përkatëse që lidhen me këto të dhëna.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshje nuk është vetëm një shenjë e miqësisë dhe mbështetjes reciproke të qeverive të dy vendeve, por dhe një indikator për rëndësinë shumë të madhe që ka zhvillimi i infrastrukturës, përpunimi dhe përdorimi i të dhënave gjeohapësinore.

Mjafton të përmendim vetëm një fakt, që sot 80% e informacionit të nevojshëm për vendimmarrje që përdoret nga qeveritë e shteteve të ndryshme, përmban në vetvete të dhëna gjeohapësinore dhe kjo mjafton për të kuptuar rëndësinë e kësaj fushe”, tha ministrja Harito.

Për palën norvegjeze, marrëveshja u firmos nga Helge Onsrud, drejtor nga Qendra për Zhvillimin, lidhur me të Drejtat e Pronësisë, pranë “Statens kartverk”. Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në mjediset e AKSHI-t, në tematikën “Shqipëria në axhendën dixhitale evropiane”. (PCWorld Albanian)

big_per_banner

Lajmet e fundit>