Blog

Nuk duhet të jeni ekspert për një Startup Weekend!

Aug 31 2011
0 Shpërndarje
Nuk duhet të jeni ekspert për një Startup Weekend!

Ju keni vetëm 54 orë për të ndërtuar një kompani të vogël e funksionale, kështu që do të jetë punë e shkurtë. Por më besoni kur ju them se nuk është thjeshtë çështje 54 orëshe apo fituesi, sepse nëse ndiqni konferencën dhe disa këshilla (që nuk janë rregulla as gjëra të detyrueshme…) ju pas konferencës do të mund të dilni në tregun e Kosovës me një biznes të vërtetë. 

Në Kosovë zhvillimi i teknologjisë ka vazhduar të jetë përkrahë nesh për vite me radhë, por mos harroni një gjë se secili prej nesh që i takojmë kësaj industrie jemi kreator, ndërtues; qofshim programer në back-end, haker i Linux’it, dizajner grafik apo ekspert i PHP. Ne jemi ata që krijojmë gjëra.

Kjo natyrisht vlen edhe në jetën e përditshme sepse brenda një startup ju ose jeni duke krijuar diçka ose jeni duke vrapuar për të gjeneruar të hyra – nuk ka hapësirë për menaxher e ekzekutiv të strategjive. Rrjedhimisht kjo prodhon një dobësi natyrale por ata që tejkalojnë këto dobësi brenda pak ditës kanë gjasa më të mëdha për të fituar dhe për të qenë të suksesshëm në të ardhmen. 

Çka duhet tè keni parasysh…

Sot në Kosovë dizajnerët, koduesit e ueb faqeve e zhvilluesit e aplikacioneve nuk janë më “soj i rrallë”, dhe rrjedhimisht kjo tregon se Startup Weekend Prishtina do të ketë një audience mjaft atraktive që do të sjellë në pah disa produkte të thjeshta dhe interesante. Përveç kësaj kualiteti dhe kuantiteti nuk do të jenë përcaktues të suksesit. Disa gjëra që duhet të keni parasysh:

– Përmirësoni prezantimin tuaj: Arritja e një niveli të tillë të prezantimit që mundëson secilin konsumator më të thjeshtë të kuptojë atë se çka bëni ju dhe produkti juaj, është madhështia juaj. Bëhuni gati për prezantim 60 sekondësh, për një ueb faqe të thjeshtë që shpjegon me pak fjalë çka bëni dhe më pas shpjegoni se çka është problemi dhe si do ta zgjidhni për më pak se 15 minuta në prezantimi final. Kjo gjithnjë ka tingëlluar si diçka e vështirë sepse ju detyron të merrni vendime të fuqishme në lidhje me atë se çfarë po ndërtoni dhe kujt i interesojnë dhe sa do të paguajnë për to. Këto çështje janë të vlefshme dhe ju mundësojnë të krijoni një prezantim të shpejt e të saktë se vë në qendër të vëmendjes idenë tuaj.

– Kërkoni mendimin e 5 njerëzve të huaj: Sfidoni vetën dhe matni pulsin e reagimit dhe gatishmërisë për të paguar. Edhe nëse nuk pajtohen, edhe nëse ju ndryshoni tregimin tuaj secilën herë, ju do të kuptoni se çfarë është kritike dhe çka duhet të zgjidhni. Një koncept i vlerësuar nga pesë njerëz është shumë më i vlefshëm sesa një aplikacion funksional që nuk e ka kritikuar askush deri tani.

– Krijoni një biznes model të thjeshtë: Jo Biznes Plan! Por një tabelë të thjeshtë me çmime, që tregon sesi hyjnë e dalin paratë në operim normal, sa do t’iu kushtojë konsumatorëve dhe sa konsumatorë ju duhen për të dalë në atë që ne e quajmë “zero-zero”. Është vështirë të ndërtohet një kompani ku të hyrat nuk mund të përballojnë marketingun, pagat dhe operacionet në një shkallë të barabartë. Nëse mund të vërtetoni se kompania juaj mund të funksionojë duke përballuar këto, atëherë ju jeni një hap para tjerëve. 

– Prodhoni dëshmi të konsumatorëve potencial: shikoni se cilët konsumatorë veçse janë duke kërkuar zgjidhje për një problem (p.sh. ankesa në Twitter, forume. Bloge, etj). Shumë kompani krijojnë vegla të bukura që askush në fakt nuk i dëshiron. Thjeshtë hulumtoni dhe shikoni se kujt çka po i duhet dhe sugjeroni një mënyrë sesi dëshironi t’i arrini këta njerëz.

Startup Weekend Prishtina që do të mbahet me 2-4 dhjetor për herë të parë në Kosovë, do të sjellë me vete disa atraksione dhe disa sfida të shkëlqyera për ndërmarrësit e ardhshëm të vendit tonë. Tek ne disi nuk është zhvilluar si duhet koncepti mbi të rinjtë në biznes dhe mbi potencialin e tyre në këtë aspekt, por kjo do të ndryshojë dhe ne do të jemi pjesë e kësaj. Thjeshtë për 3 ditë me radhë, brenda 54 orëve krijuesit e biznesmenët e ardhshëm të vendit tonë do të jenë aty për të sjellë në skenë një ide/produkt që zgjidh një problem. 

Identifikoni një nevojë të tregut!

Ajo që duhet të keni parasysh gjatë pjesëmarrjes është të jeni gati me një faqe përshkruese të kompanisë suaj që shpjegon se çfarë bëni dhe më pas filloni të shpërndani fjalën se keni nisur punën. Në ju mbetet të identifikoni një nevojë, konkretisht një nevojë në tregun e Kosovës, e që në fakt janë të shumta. Tregu jonë nuk ka nevojë për më shumë portale online që na sjellin lajmet e njëjta për çdo minutë, por ka nevojë për produkte e kompani që zgjidhin probleme e hapin mundësinë që të mos shëtisim poshtë e përpjetë për të blerë një tavolinë zyre por prej shtëpisë të shikojmë mundësitë më të mira për të blerë diçka, apo të mos shëtisim nëpër auto-sallone për të blerë një veturë por thjeshtë t’i shikojmë të gjitha ofertat nga shtëpia…

Bëhuni gati për këtë sfidë, e mos i mbyllni idetë tuaja. Tani po vjen momenti juaj. Startup Weekend është një mësim-jetësor por që shtrihet përtej jetës suaj. Ju nuk duhet të praktikoni të shkruani kod apo të krijoni logo – ju mund ta bëni këtë kur të doni. Por pse mos të shfrytëzoni mundësinë për të praktikuar diçka që veçse nuk e keni idenë? Pse të mos shfrytëzoni këtë mundësi për tu rritur dhe zhvilluar në pjesë tjera që janë me rëndësi të njëjtë për suksesin e një startup?

Në dhjetor Startup Weekend Prishtina do të jetë vendi juaj dhe do të jetë arena juaj konkurruese që do të ndryshojë shumëçka në drejtim të asaj sesi keni zhvilluar ide në kokën tuaj tani dhe sesi nuk keni provuar asnjëherë të qenit udhëheqës të një biznesi në jetën reale. 

E deri sa të arrij momenti për ngjarjen e madhe, mos harroni të shpërndani fjalën edhe në mesin e miqve tuaj për Startup Weekend Prishtina sepse qëllimi i saj është vet zhvillimi i ndërmarrësve të ardhshëm të Kosovës dhe i vet tregut të Kosovës, e në anën tjetër Startup Weekend është organizatë jo-fitimprurëse që organizon konferenca të shumta anembanë botës dhe ka përkrahës të sferave të ndryshme… E PCWorld Albanian është një prej mbështetësve të parë të Prishtina Startup Weekend, dhe si zakonisht mediumi i dedikuar për industrinë e teknologjisë informative vazhdon të jetë sërish pranë aktiviteteve të ndërlidhura me këtë sektor.

 

Autori është ish kryeredaktor i PCWorld Albanian dhe CIO Albanian. Ai ka qenë vazhdimisht aktiv në industrinë e teknologjisë informative me shkrime e analiza të shumta që kanë prekur tema të ndryshme të paprekura deri më sot. Ai sot është i angazhuar si Menaxher i Projekteve pranë IDNorway dhe është njëri prej organizatorëve të konferencës Prishtina Startup Weekend. Nëse dëshironi më shumë informacione ndiqeni në Twitter @celiknimani apo dërgoni email në [email protected]

Lajmet e fundit>