Vëzhgim

Numri i përdoruesve të internetit në Kosovë dhe Shqipëri po rritet

Jan 13 2011
0 Shpërndarje
Numri i përdoruesve të internetit në Kosovë dhe Shqipëri po rritet

Statistikat e qasjeve në internet tregojnë se interneti është duke joshur shumë njerëz edhe në Evropë, të cilët kanë filluar të përdorin internetin në një masë të madhe. Vlen të theksohet se për më shumë se 813 milionë banorë në kontinentin e vjetër, numri i përdoruesve ka arritur në shifrën prej më shumë se 475 milionë, që nënkupton më shumë se gjysmën e popullsisë së tërësishme. Kjo statistikë është bërë në qershor të vitit 2010 nga Miniwatts Marketing Group dhe shifrat do të mund të kenë pësuar ndryshime qysh nga ajo kohë deri më sot.

Më shumë se gjysma e popullsisë nuk ka qenë e kyçur në internet që nga një kohë e largët në të kaluarën. Sipas statistikave, numri i përdoruesve ka shënuar rritje për 352 % gjatë viteve 2000-2010. Nga tërë përdoruesit e internetit në botë, përdorues evropianë janë 24.2%.

Nga 51 shtete të pavarura në Evropë, duke e llogaritur edhe Kosovën në mesin e tyre, kemi ndryshime në përqindjen e popullsisë aktive në internet, shpejtësisë e të tjera veçori për të cilat nuk do të bëjmë fjalë këtu. Si shteti me më së shumti përqindje të përdoruesve të internetit në tërë popullsinë radhitet e para Islanda me 97.6 %. Pas saj vijnë Norvegjia me 94.8 % të përdoruesve të internetit nga e tërë popullsia, Suedia me 92.5 %, Holanda me 88.6 % dhe Danimarka me 86.1 %.

Shqiptarët e përfshirë në dy shtete nuk mund të mos vlerësohen si të përfaqësuar denjësisht në fushën e internetit. Shqipëria paraqitet me 43.5 % e popullsisë si përqindje e përdoruesve të internetit, kurse Kosova me 20.8%. Shqiptarët të cilët nuk banojnë në këto dy shtete, fatkeqësisht nuk mund të përfshihen në këto dy vlera. Në Shqipëri vërehet një rritje vërtet kënaqshme e numrit të përdoruesve me 51,900.0% gjatë viteve 2000-2010. Ndërsa për Kosovën është paraqitur si vlerë e pandryshuar. Sipas të gjitha gjasave, kjo nuk mund të quhet e vërtetë pasi që në Kosovë vërehet një rritje e madhe e numrit të përdoruesve të internetit.

Edhe pse nuk është shteti me më së shumti banorë në Evropë, Gjermania kryeson në listën e numrit të përdoruesve me 65.1 milionë të tillë, e pasuar nga Rusia me 59.7 milionë përdorues, Britania e Madhe me 51.4 milionë, Franca me 44.6 milionë dhe Turqia me 35 milionë. Pas tyre vijnë shtetet e tilla si Italia me 30 milionë përdorues,që vijnë pas saj Spanja, Polonia, Ukraina dhe Holanda me më pak përdorues.

Paraqitja e vlerave përkatëse për shtetet e Evropës është mbështetur në kuptimin e numrit të abonuesve, depërtimin dhe rritjen në treg. Në këtë raport janë të paraqitur edhe statistika të ndërmarrjeve që ofrojnë roaming dhe lidhje të bashkëkomunikimeve, së bashku me gjendjen e teknologjisë analoge dhe dixhitale. Ofruesit e internetit në celularë përgjatë tërë Evropës janë të paraqitur, duke përfshirë statistika në bazat e tyre për shfrytëzues, rezultate financiare dhe strategji./pcworldalbanian

Lajmet e fundit>