Harduer

Nvidia prezanton pajisjet Tegra Note 7 dhe Tegra Note K1

Mar 1 2014
0 Shpërndarje
Nvidia prezanton pajisjet Tegra Note 7 dhe Tegra Note K1

22117Nvidia ka prezantuar produktet më të fundit në Barcelonë në Kongresin Botëror Mobil ku tabletët janë versione të përmirësuara të tabletit të famshëm që lançoi në nëntor të vitit të kaluar. Tegra Note 7 me suport LTE dhe Tegra Note K1 që vjen me procesorin e ri nga Nvidia, procesori K1.

Të dyja pajisjet janë të ngjashme në paraqitje, thuajse identike. Ato janë dizajnuar të përdoren horizontalisht dhe në të dy anët kanë spikerat (në një prerje të pjerrët, jo të drejtë). Modeli LTE, më i shumëprituri, ka një ekran me rezolucion 1280×800 pixel, ndërkohë Note K1 ka një ekran Full HD me rezolucion 1920×1200 pixel, edhe pse ende konsiderohet si prototip nga Nvidia. Imazhi mund të duket pakëz më mirë në Note K1 por gjithsesi, ndriçimi, këndet e pamjes, kontrasti dhe ngjyrat janë thuajse e njëjta cilësi në të dyja.

Tegra Note 7 punon me një procesor quad-core nga Nvidia, modeli i procesorëve Tegra 4 me një frekuencë 1.8 GHz me arkitekturë Cortex A15. Ka gjithashtu edhe 1GB RAM dhe 16GB memorie të brendshme. Modeli Tegra Note K1 ka një procesor quad-core 2.3 GHz të arkitekturës Cortex A15 gjithashtu. Memoria RAM është 2GB dhe benchmark për të shkon në nivele të larta, të paktën me aq sa është testuar nga gazetarët në Barcelonë. Për të parë se si punon nën presionin e programeve që kërkojnë përpunim grafik, tableti K1 është testuar në një sërë lojërash dhe duket se prova kaloi me sukses. Procesimi i grafikave është pa problem për procesorin K1 dhe ekrani Full HD e jep efektin e tij impresionues, edhe pse vetëm në 7 inç.

Modeli LTE, ishte më i shumëpritur dhe me shumë mundësi ky do të jetë i pari që do të mund të gjendet në treg. Ai vjen me një stylus që përdor teknologjinë e ashtuquajtur DirectStylus. Kjo do të thotë që nuk është sensitiv për fuqinë me të cilën shtypet, por fuqia shprehet me anë të këndit me të cilin preket sipërfaqja e tabletit. Kjo gjë kërkon vetëm pak praktikë nga përdoruesit dhe nuk duket e vështirë për t’u mësuar. Tabletët nga Nvidia nuk kanë qenë shumë të shpeshtë dhe fakti që Tegra Note 7 ka suport e mbulim të rrjetit LTE do të thotë që ka akoma më shumë treg për t’u shitur.

Në SHBA pritet që Tegra Note 7 të kushtojë rreth 300 dollarë, pra, 100 dollarë më shumë se modeli i fundit që ishte pa mbulim rrjeti LTE, gjë që është e pranueshme dhe normale për tregun amerikan. Tegra Note K1 është ende pa një çmim përfundimtar. Nvidia ende është duke e zhvilluar dhe modeli në Barcelonë është prototip. Gjithsesi, pritet që brenda këtij viti edhe Note K1 të jetë në treg. (PCWorld Albanian)

VIDEO

Tags >

Nvidia
Lajmet e fundit>