Lajmet

Nxitje për mësimin e programimit, edhe shqiptarët pjesë e fushatës “The Hour of Code”

Nov 20 2014
0 Shpërndarje
Nxitje për mësimin e programimit, edhe shqiptarët pjesë e fushatës “The Hour of Code”

 code.org_Firmoset marrëveshja ndërmjet Code.org dhe MOOC-ut shqiptar almooc.com për të lançuar lëvizjen më të madhe botërore në fushën e Teknologjisë së Informacionit. Lëvizja globale “The Hour of Code” ka nisur anembanë botës një fushatë nëpërmjet të cilës synon të tërheqë qindra miliona të interesuar , me qëllimin primar të nxënies së lëndës së programimit në masë të gjerë, nëpër shkolla e institucione arsimore. Kjo nismë pritet të jetë një prej fushatave më të mëdha mbarëbotërore deri më tani, e cila udhëhiqet nga organizata amerikane code.org dhe që përmes teknikave të avancuara të teknologjisë, promovon mësimin e lëndës së programimit nëpër shkolla të të gjitha niveleve.

Platforma EDUonGo.Inc, që promovon eLearning me seli në Bellevue të shtetit të Washingtonit, në një kohë të shkurtër ka shtrirë rrjetin e vet edhe në Kosovë e Shqipëri, duke afruar rreth vetes mësimdashësit dhe bartësit e proceseve arsimore përmes organizatës ALMOOC, nëpërmjet së cilës i fton të gjithë shqiptarët kudo që janë t’i bashkohen lëvizjes më të madhe deri me sot , “The Hour of Code”, që nis në dhjetor. Për t’i mundësuar shqiptareve të jenë pjesë e fushatës “The Hour of Code”, sot drejtuesit e platformës EDUonGo, përmes projektit almooc kanë firmosur marrëveshjen e partneritetit me organizatorët e kësaj nisme , për t’i dhënë shtysë të gjithë shqiptareve për tu bërë pjesë e të resë dhe teknologjisë.

Veç të tjerash , “The Hour of Code” është nismë globale që bashkon rreth vetes dhjetëra miliona nxënës, studentë dhe të tjerë të interesuar në fushën e programimit, që aktualisht ka gjetur mbështetje në 180 vende të botës. Tutoriale një orëshe në 30 gjuhë të botës janë të aksesueshme për të gjithë të interesuarit nga të katër anët e globit. Nga cilësia e partnerit zyrtar, ALMOOC ka përgatitur dhe lançuar tutorialin në gjuhën shqipe duke i dhënë mundësinë e artë shqiptarëve, të jenë pjesë e kësaj nisme për të mësuar se si të bëhen kodues/programues. http://hourofcode.com/al.

“Portali amerikan PRWEB raporton për firmosjen e kësaj marrëveshjeje mes code.org dhe almooc.com”, citon CEO Ridvan Aliu, ligjërues i lëndës së programimit në kolegjet amerikane për më shumë se tetë vjet, i cili shprehet entuziast për këtë iniciativë unike. “Jam tejet i lumtur për partneritetin e arritur mes almooc dhe code.org per ketë bashkëpunim të shkëlqyer. Aliu thekson që së shpejti kodimi do të bëhet një veprim esencial, sikurse leximi i thjeshtë apo zgjidhja e një ekuacioni matematikor, duke besuar që çdokush nga ne duhet të mësojë kodimin/programimin”.

Kjo marrëveshje partneriteti është një mundësi reale që shërben si thirrje për të gjithë shqiptarët, të çfarëdolloj moshe, veçanërisht për ata që kanë pasion programimin, të mos ngurojnë t’i bashkohen kësaj nisme një orëshe për të ndjekur trendin e zhvillimeve teknologjike që sot po e transformojnë botën. Platforma EDUonGo mbështetet edhe nga shtëpia botuese ICTSmedia, duke kontribuar në pasqyrimin mediatik të eventeve, aktiviteteve dhe nismave, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>